Tiranë: Kuvendi miraton rezolutë kundër antisemitizmit

Parlamenti i Shqipërisë miratoi sot një rezolutë “për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”.

Rezoluta mbështetet në përcaktimin e kësaj Aleance, e cila bashkon qeveritë dhe ekspertët për zhvillimin e vlerave, që përkujtojnë Holokaustin, sipas deklaratës së Stokolmit të vitit 2000.

Ky përkufizim dënon ndjenjat e urrejtjes ndaj individëve hebrenj dhe johebrenj, komuniteteve, pronave dhe institucioneve komunitare e fetare të hebrenjve, si edhe perceptimet denigruese ndaj tyre, përpjekjet për të mohuar Holokaustin dhe për të zbatuar standarte të dyfishta në qëndrimet ndaj Izraelit.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yur Kim, deklaroi pas miratimit të rezolutës nga parlamenti se “ky akt vazhdon traditën e gjatë të Shqipërisë në luftën kundër urrejtjes dhe na kujton historinë e Shqipërisë dhe strehimin e viktimave të persekutimit në mënyrë të guximshme, pa marrë parasysh koston dhe pavarësisht nga rreziku”.

Ambasadorja Kim tha se SHBA ndjehet krenare, që e kanë Shqipërinë partnere dhe aleate, dhe së bashku vazhdojnë angazhimin e tyre për dinjitetin e çdo individi.

Kryetari i parlamentit, Gramoz Ruçi, tha se Shqipëria i bashkohet me krenari këtij veprimi emancipues të qytetërimit bashkëkohor, sepse është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe se në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë për hebrenjtë”.

Ndërsa Këshilltari i Lartë i Lëvizjes Kundër Anti-Semitizmit dhe Kryetar i Qendrës për Impaktin e Hebrenjve, Robert Singer, tha se “miratimi nga Shqipëria i përkufizimit të Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit dhe të mbajë një qëndrim të fuqishëm dhe të qartë kundër​ anti-semitizmit reflekton fuqishëm karakterin e hapur, divers, tolerant dhe demokratik të Shqipërisë”.

Ai shtoi se veprim u dërgon një mesazh vendeve të tjera të rajonit se në një shoqëri të denjë e të drejtë nuk ka vend për anti-semitizmin dhe për asnjë shfaqje tjetër të racizmit.

“Forumi Ballkanik për Anti-Semitizmin na jep ne mundësinë që të ndërmarrim hapa praktikë drejt shndërrimit të këtyre ndjenjave në realitet” - tha zoti Singer.

Miratimi i Rezolutës erdhi disa ditë para organizimit prej Kuvendit të Shqipërisë, në partneritet me Lëvizjen Kundër Anti-Semitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit, të Forumit të parë Ballkanik kundër Anti-Semitizmit.

Në forumin e 28 tetorit pritet të marrin pjesë kryetarët e parlamenteve të vendeve të rajonit, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, përfaqësues të Parlamentit të Bosnje-Herzegovinës, si edhe zyrtarë të lartë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Izraeli.

Forumi synon të krijojë një front të bashkuar të vendeve ballkanike për të luftuar bashkarisht kundër anti-semitizmit.