Ndërsa kanë mbetur pak më shumë se dy javë nga zgjedhjet e 3 nëntorit, kandidatët presidencialë Donald Trump dhe Joe Biden po përçojnë fuqishëm mesazhin e tyre tek votuesit amerikanë.
Këtë javë, kandidatët presidencialë, Donald Trump dhe Joe Biden do të vazhdojnë të udhëtojnë në mbarë vendin për të bindur amerikanët se i meritojnë votat e tyre. Të dy do të takohen ballë për ballë të enjten në Neshvill të shtetit Tenesi, për një debat prej 90-minutash. Temat, të bëra publike nga Komisioni jo-partiak për Debatet Presidenciale, përfshijnë problemet racore në Amerikë, ndryshimin e klimës dhe luftën kundër COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi.
Your browser doesn’t support HTML5
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, demokrate nga Kalifornia, i ka dhënë kohë Shtëpisë së Bardhë deri të martën në mbrëmje për të miratuar një paketë ndihmash ekonomike, që mund të arrijë në 1.8 deri në 2 triliardë dollarë, për të ndihmuar ekonominë amerikane të goditur nga koronavirusi. Por për ndihmat ekzistojnë mosmarrëveshje lidhur me sasinë e fondeve që duhet t'u jepen qeverive shtetërore dhe lokale.
“Ne duam të arrijmë një marrëveshje dhe për këtë arsye duam të ulemi në negociata. Duhet ta miratojmë tani që ndihmat të jenë gati para zgjedhjeve. Ne duam të arrijmë marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur”, tha zonja Pelosi.
Sipas një profesori në Universitetin e Floridës që ndjek pjesëmarrjen në votime, më shumë se 27 milionë njerëz kanë votuar tashmë në mbarë Shtetet e Bashkuara, rreth gjashtë herë më shumë se numri i atyre që kishin votuar deri në të njëjtën periudhë në vitin 2016. Deri tani, zonat demokrate kanë parë një pjesëmarrje më të lartë se ato republikane.
Ndërsa sondazhet tregojnë se presidenti Trump është pas zotit Biden në disa shtete kryesore përcaktuese për garën, disa republikanë po distancohen nga presidenti, ose kanë shprehur shqetësim se zoti Biden mund të fitojë. Por Ronna McDaniel, kryetare e Komitetit Kombëtar Republikan, thotë se republikanët do të votojnë për presidentin në ditën e zgjedhjeve.
“Ne po shohim këtë energji të madhe dhe rezultate vërtetë të mira për presidentin. Kjo është garë. Dhe çdo republikan që nuk e kupton se gara me presidentin do t'i ndihmojë ata, do të dëmtonte veten në planin afatgjatë".
Në përpjekjet e fundit para ditës së zgjedhjeve, kandidatët do të punojnë për të ngritur entuziazmin me shpresën që mbështetësit e tyre do të dalin për të votuar.