11 persona janë ndaluar deri tani në lidhje me vrasjen makabre të një mësuesi francez në një periferi të Parisit. Autoritetet ndaluan menjëherë pas aktit katër të afërm të personit të akuzuar për vrasjen, ndër to edhe babain e tij. Arrestimet e tjera u bënë të shtunën dhe sot. Ndër të ndaluarit është edhe një i njohur i autorit të sulmit, i cili sipas autoriteteve ishte nën vëmendjen e shërbimeve të zbulimit francez.
Të premten një 18-vjeçar me origjinë nga Çeçenia vrau mësuesin e historisë, Samuel Paty, pasi ai kishte treguar në klasë karikatura të Profetit Muhamet, thanë prokurorët. Shumë myslimanë e shohin çdo shëmbëlltyrë të profetit si ofezë ndaj fesë së tyre. 47-vjeçari Paty u ekzekutua me prerje koke para shkollës në një lagje periferike të Parisit.
I dyshuari u qëllua për vdekje nga policia pak pas sulmit. Autoritetet e kanë cilësuar sulmin një goditje në zemër të vlerave franceze.
Presidenti francez do të zhvillojë sonte një takim me kabinetin e tij lidhur me sigurinë e brendshme në vend.
Ndërkaq, Ministri francez i Financave Bruno Le Maire tha sot se do të propozojë masa më të forta kontrolli ndaj fondeve për shoqata islamiste, pas ekzekutimit të një mësuesi francez nga një person i dyshuar si ekstremist islamik.
Ministri Le Marie tha se ekziston një lëvizje problematike parash në llogari të shoqatave islamiste dhe se situata kërkon vëmendje. Ai përmendi si shembull fondet përmes monedhave dixhitale, duke thënë se autoritetet duhet të vendosin rregullore më të forta kontrolli, pasi këto lëvizje fondesh po ushqejnë terrorizmin.
Your browser doesn’t support HTML5
Në Paris, banorë dhe autoritete morën pjesë sot në ceremoni të organizuara për të nderuar kujtimin e mësuesit. Ndërkaq, dje qindra vetë, përfshirë prindër e nxënës shkollash u mblodhën në kujtim të tij në shkollën ku ai jepte mësim.
Një nderim kombëtar është planifikuar për të mërkurën, njofton zyra e Presidentit Macron.