Uashington: Gjykata vendos për mosmarrëveshjen lidhur me Fondin për Teknologji të Hapur

Një gjykatë në Uashington, arriti në përfundimin se veprimet e ndërmarra nga Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM) kundër bordit të Fondit për Teknologji të Hapur (OTF) janë të pavlefshme.

Vendimi i gjykatës erdhi si përgjigje ndaj një padie paraqitur në korrik në lidhje me kontrollin e Fondit. Padia u paraqit nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Uashingtonit në bazë të Ligjit për Korporatat Jofitimprurëse.

Fondi për Teknologji të Hapur, një organizatë jofitimprurëse nën mbikqyrjen e USAGM-së, përdor grante federale për të promovuar teknologjitë për lirinë e internetit.

Më shumë se 2 miliardë njerëz në mbarë botën përdorin mjete që ajo mbështet, të tilla si aplikacioni i koduar i mesazheve Signal dhe programin Tor përmes së cilit mund të përdorësh internetin në mënyrë anonime.

Kongresi i dha OTF-së statusin si organizatë jofitimprurëse vitin e kaluar.

Në një nga veprimet e tij të para si shefi ekzekutiv i USAGM-së, agjencia federale që mbikëqyr Zërin e Amerikës dhe rrjetet e tjera, përfshirë OTF-në, Michael Pack shkarkoi drejtuesit e rrjeteve dhe Shefen Ekzekutive të OTF-së Libby Liu dhe zëvendësoi bordet e tyre.

Drejtorja dhe nëndrejtorja e Zërit të Amerikës dhanë dorëheqjen dy ditë para se zoti Pack të fillonte detyrën.

Vendimi i gjykatës së Uashingtonit të mërkurën thotë se zëvendësimi nga ana e zotit Pack i bordit të drejtorëve të OTF-së ishte i paautorizuar dhe çdo veprim i ndërmarrë nga bordi i ri ishte i pavlefshëm. Në të thuhej se anëtarët e mëparshëm ishin bordi legjitim.

USAGM nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.

Në një kopje të përmbledhjes së vendimit thuhet se sipas rregulloreve të OTF-së, bordi i drejtorëve ka fuqinë të zgjedhë ose të heqë drejtorë dhe të plotësojë vendet e lira në bord. Në vendim thuhet se bordi "nuk votoi për të zgjedhur asnjë nga drejtorët e rinj që zoti Pack u përpoq të emëronte."

Zyra e prokurorit të përgjithshëm Karl Racine, e cila u mor me çështjen, i tha Zërit të Amerikës se vendimi do të siguronte qartësi dhe do të lejonte OTF-në të ecte përpara pa asnjë mëdyshje nëse veprimet e tij ishin të vlefshme.

"Është një vendim i fortë," i tha Zëri i Amerikës Catherine Jackson, drejtore e sektorit të integritetit publik të zyrës së zotit Racine dhe një nga avokatet kryesorë të çështjes.

"Unë mendoj se është një vendim i mirë përsa i përket ligjit, që parashikon mekanizmat e organizatave jofitimprurëse për të zgjidhur këto lloj mosmarrëveshjesh. Dhe është shumë e qartë në konfirmimin se bordi i OTF-së është i vlefshëm, dhe bordi që pretendon se ka krijuar USAGM nuk është. Ai siguron një precedent të fortë për OTF-në që të ecë përpara. "

Veprimet e zotit Pack lidhur me OTF-në dhe rrjetet e USAGM-së janë pjesë e proceseve gjyqësore federale, përfshirë një rast që pretendon se agjencia ka shkelur kontratat duke bllokuar 18 milion dollarë në fondet e miratuara nga Kongresi. Në një rast të veçantë, një gjykatë e apelit në Uashington në korrik bllokoi drejtorin ekzekutiv që të vendoste të emëruarit në OTF.

"Publiku përfiton kur organizatat jofitimprurëse, përfshirë Fondin për Teknologjinë e Hapur, kanë udhëheqje dhe qeverisje të qartë dhe mund të përmbushin misionet e tyre jofitimprurëse," tha Prokurori Racine.

Prokurori i përgjithshëm është përgjegjës për mbrojtjen e organizatave bamirëse sipas Ligjit për Korporatat Jofitimprurëse, i cili mund të përfshijë kërkesën për urdhra gjykate.

Përgjigja e Kryetares së Bordit

Kryetarja e Bordit të OTF-së, ish-ambasadorja Karen Kornbluh, tha se vendimi konfirmoi se zoti Pack nuk kishte autorizim të zëvendësonte bordin ose udhëheqjen e OTF-së.

"Shpresojmë që kjo të na sjellë një hap më pranë kthimit të fondeve të miratuara nga Kongresi, që USAGM i ka bllokuar OTFsë që janë urgjente - në Bjellorusi, Hong Kong, Iran dhe gjetkë - për të mbështetur përpjekjet e konsolidimit të lirisë dhe demokracisë dhe për të ndihmuar disidentët dhe gazetarët që të komunikojnë të sigurt në vendet e sunduara nga regjimet shtypëse," tha zonja Kornbluh në një deklaratë të ndarë me Zërin e Amerikës.

Vendimi u mirëprit gjithashtu nga ligjvënësi Chris Murphy, anëtar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

"Që nga fillimi, Michael Pack është përpjekur ta kthejë USAGM-në në një degë të Shtëpisë së Bardhë duke zhdukur pavarësinë dhe objektivitetin e saj. Jam i lumtur që vendimi i gjykatës zhvleftësoi përpjekjet e tij për të shpërndarë bordin e Fondit për Teknologjinë e Hapur dhe mbështeti pavarësinë që USAGM dhe paraardhëset e saj kanë mbështetur," tha Senatori Murphy, një Demokrat nga Konektikati.

"Mbrojtja e fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit është thelbësore në një demokraci dhe vendimi i gjykatës i kësaj jave është një hap në drejtimin e duhur për të riparuar dëmin e bërë nga Pack dhe të emëruarit e tjerë pro-Trump," tha senatori Murphy.

Senatori publikoi të premten detaje të legjislacionit të propozuar për të forcuar mbrojtjen e gazetarëve nga ndërhyrjet politike.

Në një njoftim, zyra e tij tha se propozimi erdhi në përgjigje të njoftimeve se zyrtarë në USAGM-së kishin filluar një hetim të motivuar politik ndaj shefit të zyrës së Shtëpisë së Bardhë të Zërit të Amerikës, Steven Herman.

Në një deklaratë të 5 tetorit për Zërin e Amerikës në lidhje me njoftimet e një hetimi, USAGM tha se nuk do të komentonte sepse kishte të bënte me rrjedhje të informacionit jopublik. "Kjo është një çështje e brendshme e menaxhimit të Zërit të Amerikës që trajtohet nga udhëheqja e Zërit të Amerikës," tha USAGM.

Ndryshimet e propozuara

Legjislacioni propozon ndryshimin e Ligjit për Transmetimet Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, në bazë të së cilit ishte ngritur një bord që më pas u kthye në USAGM, për të mbrojtur më qartë gazetarët në rrjetet e agjencisë nga ndikimi i zyrtarëve të qeverisë amerikane, përfshirë hetimet e pikëpamjeve personale politike.

Do të kërkonte gjithashtu që drejotori ekzekutiv të mbronte gazetarët nga ndërhyrjet e agjencive qeveritare ose zyrtarëve; të sigurojë që punonjësit të gjykohen në bazë të standardeve të tyre profesionale dhe jo pikëpamjeve personale politike; dhe autorizojë inspektorin e përgjithshëm të hetojë çdo shkelje të mundshme ose përpjekje për të bërë presion ndaj gazetarëve.