Uashington: Ekspozitë për sfidat e vajzave në Shtetet e Bashkuara

Një ekspozitë e re në Muzeun Kombëtar të Historisë Amerikane që është hapur rishtazi, përqëndrohet në sfidat me të cilat përballen vajzat e reja në Shtetet e Bashkaura. Ekspozita me titull “Nuk është e lehtë të jesh vajzë“ fokusohet në jetët e vajzave amerikane që ngritën zërin për ndryshime në shoqëri dhe ndryshuan historinë e vendit.

Ekspozita e re në Muzeun Kombëtar të Historisë Amerikane me titull “Nuk është e lehtë të jesh vajzë“ fokusohet në vështirësitë e rritjes së vajzave në Shtetet e Bashkuara.

“Duam që njerëzit të kuptojnë se nuk është e lehtë të jesh vajzë. Ato ballafaqohen me rreziqe kur ngrejnë zërin, sjellin ndryshime dhe përfshihen në politikë“, thotë Kathleen Franz, kuratore e ekspozitës.

Ekspozita ndahet në pesë tema - shëndetin, arsimin, karrierën, politikën dhe modën.Çdo segment vizitorëve u përcjell historinë e rritjes dhe pjekurisë së vajzave në kohë të vështira të historisë amerikane, që nga revolucioni amerikan e deri sot.

“…vajzat janë mësuar t’u thonë se ku e kanë vendin, çfarë duhet të veshin, si duhet të duken, kush është vajzë e kush jo, kush është vajza ideale! Kjo i bën ato mëtë vetëdijshme për veten dhe ato janë mësuar që të kapërcejnë këto pengesa dhe të shprehen megjithë vështirësitë. Kjo të bën të angazhdohesh …”, thotë Nancy Bercaw, kuratore e ekspozitës.

Vajzat me jetë ndryshe janë në qendër të ekspozitës, përfshirë edhe Helen Keller, një aktiviste e njohur politike dhe autore që jetoi në gjysmën e parë të shekullit 20. Ndonëse nuk shihte as dëgjonte, ajo nuk e ndali rrugën e edukimit të lartë dhe kaloi jetën duke luftuar racizmin dhe diskriminimin gjinor.

13 vjeçarja Naomi Wadler ka rrëfim tjetër. Nxënësja amerikane dhe aktivistja mori vëmendjen e publikut më 2018 me një fjalim emocional në Uashington DC kundër dhunës me armë në ShBA.

Kuratoret biseduan edhe me shumë vazja të tjera përreth vendit për të krijuar ekspozitën. Hapja e ekspozitës më 11 tetor përkon me Ditën ndërkombëtare të Vajzave nga Kombet e Bashkuara, kushtuar sfidave me të cilat përballen vajzat në botë.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 2022, duke u dhënë vajzave dhe grave më shumë kohë ta shohin nga afër ekspozitën.