Ndryshimi i klimës, një çështje e rëdësishme për votuesit e rinj

Your browser doesn’t support HTML5

Këtë fushatë zgjedhore, votuesit e rinj amerikanë po ngrenë zërin dhe po kërkojnë veprime për të luftuar ndryshimin e klimës. Të rinjtë demokratë dhe republikanë po inkurajojnë arritjen e një kompromisi për të trajtuar atë që shumica e shkencëtarëve të klimës e quajnë një kërcënim botëror ekzistencial.

"Ne po shfaqim një makinë elektrike në të gjithë Amerikën për të treguar mënyrat novatore të bazuara në treg për të zgjidhur çështjen e ndryshimit të klimës."

Republikani 22-vjeçar, Benji Backer thotë se vlerat konservatore mund të zgjidhin problemin e ndryshimit të klimës.

"Mjedisi duhet të kthehet nga një çështje e demokratëve në një çështje për të cilën kanë interes të dyja partitë. Republikanët dhe konservatorët kanë prirje të jetojnë në zona rurale, në ferma dhe në zona malore. Ata kujdesen për mjedisin.”

Grupi i zotit Backer ka propozuar një kontratë klimatike që, ndër të tjera, bën thirrje për përdorimin e teknologjisë për të eliminuar emetimet e karbonit nga lëndët djegëse fosile ndërsa ndodh një tranzicion me faza në një ekonomi më të pastër.

Nga ana e tyre, shumë demokratë mbështesin "Marrëveshjen e Re të Gjelbër", e cila propozon veprime më të shpejta dhe më të gjera. Megjithatë, shumë njerëz janë të hapur për diskutime dypartiake.

“Ne mund të debatojmë mbi politikat dhe të bëjmë kompromise. Mund të kemi një debat të bazuar në atë që ne besojmë se çdo person meriton një shans për të jetuar në një botë që nuk digjet dhe nuk përmbytet", thotë Alida Austin nga Lëvizja “Sunrise DC”.

Por përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, pandemia e Covid-19 dhe ekonomia janë çështjet për të cilat amerikanët shqetësohen më shumë.

Kur bëhet fjalë për ndryshimin e klimës, ekziston një hendek i madh midis mbështetësve të Presidentit Donald Trump dhe atyre të rivalit të tij demokrat, Joe Biden.

“Vetëm 17 për qind e mbështetësve të Presidentit Trump thonë se ndryshimi i klimës është një çështje shumë e rëndësishme këtë vjeshtë. Por ka një pikëpamje shumë të ndryshme për këtë midis mbështetësve të zotit Joe Biden. Pothuajse 7 në 10 ose 68 përqind e tyre thonë se ndryshimi i klimës është një çështje shumë e rëndësishme për votën e tyre.”

Megjithatë, dallimet partiake për këtë çështje janë dukshëm më të vogla mes të rinjve, zbuloi sondazhi i Qendrës Kërkimore Pew.

“Republikanët e rinj vërtetë mendojnë se vendi duhet të ketë përparësi në zhvillimin e teknologjisë për prodhimet alternative të energjisë, si ato nga era dhe dielli. Ky është një ndryshim mjaft i madh sepse republikanët e moshuar ende mbështesin energjinë e prodhuar nga qymyri, gazi natyror dhe teknikat e prodhimit nga materialet fosile", thotë Alec Tyson nga Qendra Kërkimor e Pew.

Ndryshimi i klimës u diskutua pak në debatin e parë presidencial, por votuesit nën moshën 35 vjeçare duan të dëgjojnë më shumë për këtë çështje.

"Është një çështje që meriton më shumë kohë për t'u diskutuar dhe më shumë kohë që kandidatëve tanë t'u bëhen këto pyetje sepse kjo ka të bëjë me të ardhmen tonë", thotë Gabrielle Harris nga grupi Demokratët e Kolegjit.

"Ne duam që votuesit e rinj të jenë më të përgjegjshëm për të ardhmen e kësaj çështjeje. Ashtu si ndryshimet e përditshme të jetës, ne duhet të sigurohemi që të flasim me ligjvënësit tanë për këtë", thotë Ben Rajadurai nga Komiteti Kombëtar i Kolegjit Republikan.

Votuesit e pavarur, të cilët përbëjnë 40 për qind të elektoratit sipas organizatës Votimi i Pavarur, mbështesin ndryshime të mëdha strukturore, pavarësisht nga mosha e tyre.

Ndërsa të rinjtë amerikanë mund të mos jenë dakord për qasjen ndaj çështjes së ndryshimit të klimës, ata duan zgjidhje.

"Shumica e të rinjve janë shumë të apasionuar dhe janë dakord për rëndësinë dhe trajtimin e çështjes së ndryshimit të klimës. Pse merret si e mirëqenë që qeveria amerikane nuk mund të ndryshohet dhe të gjejë një mënyrë për të trajtuar problemet me të cilat po përballemi sot?", pyet Manu Meel, president i organizatës “Bridge USA”.

Sfida për votuesit e rinj tani është kthimi i këtij pasioni në veprim.

"Zakonisht, më pak se gjysma e votuesve të rinj në fund votojnë.Dhe çdo katër vjet ka shumë debate: a do të votojnë të rinjtë me ritme më të larta se në zgjedhjet e mëparshme? Përgjigjja më e drejtpërdrejtë është se nuk e dimë”, thotë Alec Tyson nga Qendra Kërkimore Pew.