Talebanët, NATO reagojnë ndaj vendimit të SHBA për tërheqjen e trupave nga Afganistani

Talebanët përshëndetën vendimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për të kthyer në atdhe të gjitha forcat amerikane nga Afganistani para fundit të vitit, ndërsa Sekretari i Përgjitshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se është e rëndësishme që vendet anëtare të bashkërendojnë veprimet e tyre lidhur me Afghanistanin.

Presidenti i SHBA Donald Trump tha të mërkurën në Twitter se "Numri i vogël i mbetur i burrave dhe grave tona trime që shërbejnë në Afganistan duhet të jenë në shtëpi deri në Krishtlindje!”, shumë më herët nga ç’ishte thënë më parë.

Talebanët e përshëndetën lajmin si një “hap pozitiv” drejt zbatimit të marrëveshjes së paqes nënshkruar me Shtetet e Bashkuara më 29 shkurt, që kishte si synim t’i jepej fund luftës 19 vjeçare në Afganistan.

Qeveria afgane, që nuk ishte pjesë e marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara dhe talebanëve, nuk reagoi menjëherë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg, tha se vendimet e aleancës për nivelin e trupave në Afganistan, varen nga kushtet në terren.

“Ne vendosëm të shkonim së bashku në Afganistan; ne do të marrim vendime për ndryshimet e ardhshme (në trupa) së bashku dhe kur të jetë koha e duhur, do të largohemi së bashku. Dhe ky ka qenë mesazhi nga aeatët e NATO-s për shumë, shumë vite dhe vazhdon të jetë mesazhi I aleatëve të NATO-s”, tha ai të enjten.

Lufta në Afganistan, më e gjata e Amerikës në tokë të huaj, filloi në vitin 2001 kur forcat amerikane ndërhynë në përgjigje të sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington.

Ndërhyrja amerikane në Afganistan rrëzoi talebanët e vijës së ashpër që strehonin rrjetin terrorist të al-Kaidës dhe udhëheqësin e tij, Osama bin Laden, organizatori i sulmeve të 11 shtatorit.

Në shkurt të këtij viti SHBA dhe talebanët arritën një marrëveshje për tërheqjen e të gjitha forcave amerikane nga Afganistani deri nga mesi i vitit 2021 në këmbim të garancive të dhëna nga talebanët për të mos lejuar që grupet terroriste të përdorin tokën afgane për sulme ndaj të tjerëve.

Talebanët janë përfshirë në negociata ndër-afgane për një marrëveshje të përhershme armëpushimi dhe ndarjen e pushtetit në Afganistanin e pasluftës.

Vetëm disa orë përpara komentit të Presidentit Trump, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien kishte thënë se Shtetet e Bashkuara synojnë të ulin nivelet e trupave të tyre në Afganistan nga 5,000 në 2,500 deri në fillim të vitit 2021.