Navalni, Franca dhe Gjermania propozojnë sanksione

Franca dhe Gjermania thanë të mërkurën se do të propozojnë sanksione të Bashkimit Evropian kundër disa individëve rusë, pasi nuk morën përgjigje të besueshme nga Moska për helmimin e kritikut të Kremlinit Aleksej Navalni me një agjent nervor.

Disa qeveri perëndimore kanë thënë se Rusia, e cila i ka mohuar akuzat e zotit Navalni se kishte gisht në helmim, duhet të ndihmojë në hetimet ose do të përballet me pasoja.

Vendimi dhe shpejtësia me të cilën dy vendet kryesore të Evropës ranë dakord për sanksione, flet për një forcim të diplomacisë së bllokut ndaj Moskës.

Kjo është në kontrast me 2018-n kur u desh gati një vit që anëtarët të binin dakord për sanksione ndaj individëve rusë, pas një sulmi me agjent nervor ndaj një spiuni rus në Britani.

"Asnjë shpjegim i besueshëm nuk është dhënë nga Rusia deri tani. Në këtë kontekst, ne arrijmë në përfundimin se nuk ka ndonjë shpjegim tjetër të besueshëm për helmimin e zotit Navalni sesa një përfshirje dhe përgjegjësi e Rusisë," thanë ministrat e jashtëm Jean-Yves Le Drian dhe Heiko Maas në një deklaratë të përbashkët.

Diplomatët kishin thënë më parë se dy vendet do të propozonin sanksione ndaj zyrtarëve të inteligjencës ushtarake ruse GRU, kur 27 ministrat e jashtëm të BE-së të takohen në 12 tetor.

“Franca dhe Gjermania do të ndajnë me partnerët evropianë propozimet për sanksione shtesë", thanë dy ministrat.

EKSPERTËT KONFIRMOJNË NOVIÇOKUN

Ekspertët e organizatës botërore që mbikëqyr armët kimike konfirmuan të martën se substanca e përdorur për të helmuar kritikun e Kremlinit Aleksei Navalni ishte nga familja e ndaluar e agjentëve nervorë të fuqishëm të llojit sovjetik Noviçok. Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) tha se nga analizat që iu bënë gjakut dhe urinës së zotit Navalni u vunë re "karakteristika të ngjashme strukturore me ato të shkaktuara nga kimikatet toksike që i përkasin grupit Noviçok”.

Zoti Navalny u dërgua me avion në Berlin për trajtim pasi u sëmur në gjatë një udhëtimi me avion në Siberi më 20 gusht. Një numër qeverish perëndimore kanë bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar të çështjes. Shumë udhëheqës botërorë dyshojnë se qeveria ruse mund të ketë qenë e përfshirë në helmimin e figurës së shquar të opozitës. 44 vjeçari Aleksei Navalny, doli nga spitali më 23 Shtator dhe bëri të ditur se do të kthehet në Rusi për të vazhduar punën e tij si përfaqësues i opozitës. Rusia i ka hedhur vazhdimisht poshtë akuzat se është përfshirë në këtë ngjarje sikurse gjetjet e mjekëve ushtarakë gjermanë, të cilët identifikuan të parët praninë e agjentit nervor muajin e kaluar.

Moska kërkoi ndihmë nga OPCW-ja më 1 tetor për të konfirmuar praninë e helmit. Në një deklaratë ku publikoheshin gjetjet e tyre, ekspertët thanë se një analizë e mostrave të marra nga zoti Navalni provon se një agjent nervor nga familja Noviçok ishte përdorur kundër tij. Në përgjigje të gjetjeve të OPCW-së, qeveria gjermane tha të martën se do të diskutojë me partnerët e Bashkimit Evropian rreth hapave të saj të ardhshëm lidhur me hetimin.

Kremlini është akuzuar për përdorimin e një agjenti nervor të ngjashëm në një atentat në vitin 2018 kundër Sergei Skripalit, një ish-agjent sovjetik dhe kritik i Moskës. Nëse çështja e zotit Navalni vërtetohet së është e ngjashme me përpjekjen për të vrarë zotit Skripali, dënimi mund të përfshijë sanksione financiare kundër zyrtarëve rusë. Në intervistën e tij të parë që nga helmimi, zoti Navalni i tha blogerit të shquar rus në YouTube Yury Dud, gjatë një segmenti të publikuar të martën, se beson se shërbimet ruse të zbulimit janë përgjegjëse për sulmin ndaj tij. Ai shkoi deri aty sa akuzoi Presidentin rus Vladimir Putin se ka urdhëruar helmimin.