Në Shqipëri, Këshilli i Lartë Gjyqësor bëri të ditur sot se për 11 vendet vakante të shpallura për anëtarë të Gjykatës së Lartë, kanë plikuar 23 kandidatë
Gjykata e Lartë përbëhet nga 19 anëtarë, por deri më tani, nga Këshilli i Lartë gjyqësor janë plotësuar vetëm 3 vende. Për kandidatët që janë paraqitur për postet vakante, Këshilli bëri të ditur se për 21 prej tyre, është bërë verifikimi i plotësimit të tre kritereve ligjore të kandidimit dhe po vijon procedurat për verifikimin e kritereve të pasurisë dhe figurës, duke vijuar paralelisht procedurat e vlerësimit etik dhe profesional. Për 2 kandidatët e tjerë, ka përfunduar verifikimi i këtyre kritereve, rezultatet e të cilit do të shqyrtohen në mbledhjet e radhës.
Lidhur me verifikimin e pasurisë dhe figurës, për dy kandidatw, ky proces ka përfunduar, për 8 të tjerë është në përfundim, ndërsa për 6 kandidatë që janë subjekt i rivlerësimit, është kërkuar nga organet e Vettingu-t që procedura ndaj tyre të trajtohet me përparësi.
Javën e shkuar Presidenti Meta, kritikoi me tone të ashpra Këshillin e Lartë Gjyqësor i cili sipas tij “në mënyrë të pashpjegueshme nuk duket se është angazhuar me të gjitha burimet për shqyrtimin me përparësi të kandidaturave për këto vende vakante të shpallura për aplikim”.
Vonesat në përzgjedhjen e anëtarëve të kësaj Gjykate, ndikojnë dhe në plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, tre anëtarë të së cilës, duhet të jenë nga Gjykata e Lartë. Kshtetuesja është ndërkohë e paplotësuar me anëtarët e tjerë. Aktualisht ajo ka 4 anëtarë. Kandidaturat për një vakancë janë në shqyrtim, ndërsa procesi për plotësimin e dy vendeve të tjera bosh dështoi, dhe si Parlamenti ashtu dhe Presidenti Meta, kanë rihapur thirrjet për kandidatura të reja.