Vendi i zbrazët në Gjykatën e Lartë, bëhet pjesë e fushatës presidenciale

  • Brian Padden

Të dielën në Pensilvani, kandidati demokrat për president, Joe Biden i bëri thirrje senatit që të lejonte fituesin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, të zëvendësonte ikonën liberale, Ruth Bader Ginsburg që vdiq të premten.

“Votuesit duhet të thonë fjalën e tyre për këtë çështje dhe shumë të tjera. Pushteti në këtë vend është popullit amerikan”, tha ai.

Ndërkohë, Presidenti Donald Trump përsëriti të hënën se ai do të emërojë një grua për gjykatën e lartë këtë javë, një lëvizje që mund t'u pëlqejë si grave votuese, ashtu edhe bazës së tij konservatore, që është kundër të drejtës së abortit.

“Unë thjesht po kryej detyrimin tim kushtetues. Kam detyrimin ta bëj një gjë të tillë”, tha ai.

Nëse zoti Trump ia arrin qëllimit, shumica konservatore 6 me 3 e Gjykatës së Lartë, që do të dilte si rezultat, do të vazhdonte ndikimin përtej mandatit të tij presidencial, pavarësisht nëse ai rizgjidhet apo jo.

“Anëtarët e Gjykatës së Lartë ushtrojnë ndikim në politikën dhe qeverinë amerikane për dekada, pasi presidenti që i ka emëruar del nga skena politike, madje edhe pasi vdes”, thotë Barbara Perry, Drejtore e Studimeve Presidenciale e qendrës Miller në Universitetin e Virxhinias.

Demokratët druhen se një gjykatë konservatore do të shfuqizojë klauzolën që i detyron kompanitë e sigurimit të mbulojnë edhe ata persona që kur kërkojnë sigurim shëndetësor janë të prekur nga ndonjë sëmundje e rëndë ose kronike. Po ashtu sipas demokratëve, gjykata do të vërë në rrezik të drejtat e abortit për gratë dhe të drejtat e martesës për personat homoseksualë dhe do të kthejë mbrapsht masat mbrojtëse për punëtorët dhe mjedisin.

Zoti Trump i ka bërë thirrje Senatit me shumicë Republikane që të votojë për anëtarin e ri Gjykatës së Lartë përpara zgjedhjeve të nëntorit. Por votimi mund të bëhet edhe gjatë dy muajve nga përfundimi i zgjedhjeve, deri në inaugurimin e presidentit të ri, edhe nëse zoti Biden fiton.

Nuk është e qartë se çfarë mund të bëjnë demokratët për të vonuar procesin. Deri tani, vetëm dy senatore republikane, Lisa Murkowski nga Alaska dhe Susan Collins nga Maine, e cila është në një luftë të ashpër për rizgjedhje, kanë kundërshtuar publikisht që të plotësohet vendi i zbrazët kaq pranë zgjedhjeve. Do të duhej që katër republikanë të bashkohen me Demokratët që një i emëruar nga zoti Trump të refuzohet nga Senati.

Ndërsa zoti Biden kryeson në shumicën e sondazheve, është gjithashtu e paqartë se si fokusi i papritur në Gjykatën e Lartë do të ndikojë në garën presidenciale dhe garat kryesore të Senatit, ndërsa amerikanët peshojnë alternativat për të votuar gjatë një pandemie.