Shqipëri, ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor, palët larg një pikëtakimi

Në Shqipëri, shumica dhe opozita jashtëparlamentare, mbeten larg një pikëtakimi për ndërhyrjet e reja në Kodin zgjedhor, pas ndryshimeve kushtetuese të miratuara më 30 korrik, që mundësojnë lista të hapura. Pas dështimit të takimit të parë në Këshillin politik, mbi këto çështje të hënën, opozita kërkoi një ditë më pas, thirrjen sërish për të mërkurën të një mbledhjeje tjetër “me qëllim gjetjen e konsensusit për kërkesën e Opozitës së Bashkuar, për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it, për çështjet që nuk biem dakord në Këshillin Politik, siç parashikohet edhe në Marrëveshjen e 14 Janarit”, nënvizonte letra drejtuar përfaqësuesit socialist Damian Gjiknuri, pak pasi në selinë e Partisë Demokratike, kishte përfunduar një takim i kryetarit Lulzim Basha me zëvendës ambasadoren amerikan Lejla Moses-Ones, ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit europian Luigi Soreca dhe ambasadorin britanik Duncan Norman.

Por në përgjigjen e tij, zoti Gjiknuri, refuzoi kërkesën e opozitës. “Nuk mund të kërkoni që anëtarët e tjerë të Këshillit Politik, për të cilët zbatimi i Kushtetutës është një çështje që as vihet në diskutim, as zvarritet dhe as anashkalohet të bëhen pjesë e kësaj kërkese, aq më tepër të kërkoni që ekspertiza e OSBEO/DIHR-it të keqpërdoret me prapamendim”, shkruan përfaqësuesi socialist, sipas të cilit në të kaluarën opozita kishte refuzar përfshirjen e ekspertëve të ODIHR-it në debatet e mëprshme për çështjet që lidhen me kuadrin ligjor për zgjedhjet. “Ju referoni tek marrëveshja e 14 Janarit për të mbështetur kërkesën Tuaj, por Ju nuk mund të bëni sikur sjellja Juaj e mëparshme ndaj ekspertizës së OSBE/ODIHR-it nuk ka qenë e Juaja. Me sjelljen tuaj të deritanishme, Ju e keni abroguar më shumë se sa një herë këtë pikë të marrëveshjes, pa motiv, pa shpjegim dhe me arrogancë. Unë nuk mund të mos ta kujtoj këtë fakt”, shprehet zoti Gjiknuri.

Për përfaqësuesin socialist, opozita duhet të tregojë “me prova vullnet të mirë ndaj këtij procesi që po zhvillojmë bashkarisht. Taktikat e pengimit, zvarritjes, bllokimit dhe konfliktualitetit artificial nuk pijnë më ujë”, shkruan zoti Gjiknuri duke bërë të ditur se “unë mirëpres propozimet tuaja, qoftë dhe fillestare, për çështjet e sipërcituara, në mbledhjen e planifikuar për ditën e Premte datë 18.09.2020, ora 10:30. Ndërkohë ju informoj se ekipi i PS-së është në punë për të konkretizuar dispozitat e Kushtetutës dhe për ti reflektuar ato respektivisht në Kodin Zgjedhor. Në cilësinë e përfaqësuesit e mazhorancës, në mbledhjen e ditës së Premte unë do të paraqes draftin me propozimet konkrete që reflektojnë ndryshimet Kushtetuese në Kodin Zgjedhor”.

Për opozitën, përgjigja e përfaqësuesit të shumicës “konfirmoi njëanshmërinë e akteve që PS po bën gati të miratojë”.

Më herët, për debatin mes palëve ishte shprehur dhe presidenti Ilir Meta. Në një postim në Facebook, ai shprehej se “tani që data e zgjedhjeve është dekretuar pas konsultimit me forcat politike, është domosdoshmëri që Këshilli Politik të realizojë sa më parë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me konsensus dhe duke respektuar pikë për pikë Marrëveshjen konsensuale të 5 qershorit. Kërkesa legjitime dhe parimore e opozitës për të kërkuar ekspertizën e ODIHR nuk duhet refuzuar”, shkruajti presidenti Meta, duke nënvizuar se “zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë domosdoshmëri absolute për çeljen e negociatave”.