SHBA, sa i përhapur është mashtrimi me votën ?

Interesi i amerikanëve për të votuar me postë është rritur këtë vit ndërsa vendi është goditur nga pandemia e koronavirusit. Pretendimet për votim të dyfishtë në shtetin Xhorxhia, në jug të vendit, kanë nxitur më tej një debat të tensionuar politik lidhur me mundësinë e manipulimit të votës para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Këtë javë, zyrtari më i lartë i Xhorxhias për zgjedhjet njoftoi se deri në një mijë votues mund të kenë votuar dy herë në zgjedhjet paraprake të atij shteti në muajin qershor, duke hedhur votën në qendrat e votimit pasi kishin postuar fletën e votimit.

Megjithëse përpjekja për votim të dyfishtë u kap dhe nuk ndryshoi rezultatin e votimeve, Sekretari i Shtetit të Xhorxhias Brad Raffensperger, republikan, tha se dëshironte që çdo rast të hetohej dhe të ndiqej penalisht nëse ishte shkelur ligji.

Hetimi për votim të dyfishtë, që është krim në Xhorxhia dhe shumicën e shteteve të tjera, vjen mes një debati më të gjerë lidhur me manipulimin e votës dhe nëse përpjekjet për ta luftuar atë përbëjnë një mbrojtje të procesit demokratik apo ndrydhje partiake të votuesve.

Presidenti Donald Trump ka pretenduar vazhdimisht se votimi me postë është i prirur për mashtrim të gjerë nga i cili do të përfitonte kundërshtari i tij, demokrati Joe Biden. Në të vërtetë, zoti Trump ka nxitur mbështetësit e tij që të përpiqen të votojnë dy herë në zgjedhjet e përgjithshme të 3 nëntorit – një herë me postë dhe pastaj në qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve – për të demonstruar se një mashtrim i tillë është i mundur.

Por mbështetësit e të drejtave të votuesve thonë se ka pak prova për mashtrime të shfrenuara nga votuesit. Gjatë zgjedhjeve paraprake kaotike në Xhorxhia, thonë ata, konfuzioni mund të ketë bërë që zyrtarët të numurojnë gabimisht disa vota si “votim i dyfishtë”.

“Pajtohemi plotësisht që njerëzit që votojnë qëllimisht dy herë duhet të dalin para ligjit”, tha përmes një deklerate Aunna Dennis, drejtore ekzekutive e organizatës jo-fitimprurëse ‘Common Cause Georgia’. “Por ne jemi të shqetësuar se votuesit që thjeshtë po përpiqeshin të votonin mund të kapen në këtë rrjetë.”

Ndërsa demokratët dhe grupe të të drejtave të votimit thonë se mashtrimi i votuesve është jashtëzakonisht i rrallë, shumë republikanë debatojnë se është më i përhapur sesa dihet zakonisht dhe zbeh vullnetin e votuesve legjitimë në kutitë e votimit.

Mashtrimi me votën

Shumë veprime përbëjnë atë që quhet mashtrim me votën. Që nga hedhja e fletëvotimeve të paligjshme, tek blerja e votave e deri tek maskimi për t’u shfaqur si votues.

Sipas Qendrës Brennan për Drejtësi në Universitetin e Nju Jorkut, mashtrimi me votën “ndodh kur individët hedhin fletën e votimit pavarësisht se e dinë se ligjërisht nuk mund të votojnë, në një përpjekje për të mashtruar sistemin zgjedhor.”

Por konservatorët preferojnë një përkufizim më të gjerë. Instituti i Përgjegjësisë së Qeverisë, një organizatë e bashkëthemeluar nga strategjisti politik konservator Steve Bannon, e përkufizon mashtrimin e votës si “ndërhyrje e paligjshme në procesin zgjedhor” dhe rendit gjëra të tilla si “adresa të rreme” dhe “mashtrime me regjistrimin” mes llojeve të mashtrimeve në votime.

Kjo mungesë konsensusi do të thotë se veprimin që mbrojtësit e integritetit zgjedhor mund ta shohin si një rast mashtrimi, mbrojtësit e të drejtave të votës mund ta shohin si një gabim në të shkruar ose një gabim pa dashje.

Llojet e mashtrimit me votën

Mashtrimi me votën mund të marrë forma të ndryshme. Forndacioni konservaror Heritage ka ndjekur nëntë lloje të ndryshe mashtrimesh zgjedhore.

Lloji më i zakonshëm në bazën e të dhënave të mashtrimeve të votuesve është votimi nga njerëz që nuk kanë të drejtë vote, si jo-shtetas amerikanë dhe persona të dënuar me burg. Një lloj tjetër i zakonshëm mashtrimi në votime është ajo e votimit në mungesë, kur një individ siguron një fletëvotimi dhe e plotëson atë pa dijeninë e votuesit aktual. Në listë po ashtu futen edhe blerja e votës, votimi i dyfishtë, falsifikimi i regjistrimit e të tjera.