SHBA: Rikthehen kinematë nën qiell të hapur

Your browser doesn’t support HTML5

Kinematë nën qiell të hapur, ku njerëzit shohin filma nga makina e tyre, ishin një pjesë e rëndësishme e jetës amerikane në vitet '60. Kinematë me ajër të kondicionuar sollën falimentimin e shumicës së tyre. Por me mbylljen e kinemave nga pandemia e koronavirusit, ato në qiell të hapur po rikthehen.

Për muaj të tërë, pandemia ka privuar amerikanët nga kënaqësia e filmave në ekranin e madh të kinemave.

Por megjithëse nuk po dalin shumë filma të rinj këto kohë, ka ende një vend ku njerëzit mund të shkojnë të shohin filma, pa u rrezikuar. Është një traditë e kthyer nga e kaluara: kinemaja nën qiell të hapur.

Një kinema e tillë ndodhet në qytetin Stephens në shtetin e Virxhinias. Largësia prej një orë e gjysëm nga Uashingtoni, nuk po i frenon shikuesit.

“Vija këtu shpesh kur isha e vogël, dhe më pëlqen shumë. Kishte vite që nuk vija, por doja të kthehesha dhe të shikoja si ishte”, thotë Carmen Smith.

“Është vërtet këndshëm sepse je përjashta. Ekrani është shumë më i madh se sa në një kinema të zakonshme”, thotë Javan Jackson.

Dikur kishte mijëra kinema të tilla në Shtetet e Bashkuara, por tani kanë mbetur vetëm disa qindra.

Por ato që vazhdojnë të ekzistojnë, kanë rëndësi për komunitetin.

“Kinemaja është një ikonë lokale si të thuash dhe ne shijojmë filmat dhe atmosferën që krijohet”, thotë Christine Ashcroft.

Menaxherët e kinemave thonë se në këto kinema distancimi fizik është i natyrshëm, sepse të gjithë ose rrinë në makina, ose përjashta me tenda.

Një gjë që ka ndryshuar është që vizitorët e dëgjojnë zërin përmes radios, sepse autoparlantët në çdo vend parkimi mund të transmetojnë COVID-in.

“Disa nga altoparlantët e zakonshëm, janë të mbuluar. Zakonisht mund t’i lidhësh dhe t’i vësh në makinë, por ato janë nga i njëjti material si disa paisje të këndeve të lojrave dhe mund të bëhen pika transmetimi”, thotë Jim Kropp, menaxher i kompanisë.

Por me rihapjen e kinemave të mbyllura, mbetet të shihet nëse nostalgjia e kinemasë nën qiell të hapur do të vazhdojë.