Kujtimet e Luftës së Dytë Botërore rizgjojnë pakënaqësinë ndaj Gjermanisë

Njërit prej diplomatëve më me përvojë të Gjermanisë, iu desh të priste tre muaj këtë vit, para se Varshava të miratonte emërimin e tij si ambasador i Berlinit në Poloni.

Pranimi i kredencialeve të një diplomati nga qeveria e një vendi është normalisht thjesht një formalitet, veçanërisht mes aleatëve, si edhe një ceremoni që nxjerr në pah fqinjësinë e mirë dhe miqësinë. Por Arndt Freytag von Loringhoven, një nga diplomatët më me përvojë të Gjermanisë, nuk është pritur me ngrohtësi në kryeqytetin e Polonisë.

Më në fund, më 1 shtator, qeveria polake e bëri miratimin e kredencialeve, por nuk i rezistoi tundimit për t’iu referuar përsëri arsyes së vonesës, duke thënë se polakët mbeten të ndjeshëm ndaj “plagës së madhe ende të hapur” të Luftës së Dytë Botërore.

Kundërshtimi ndaj zgjedhjes së Freytag von Loringhoven, shefi i parë i zbulimit i NATO-s dhe zëvendës shefi i agjencisë gjermane të zbulimit, si kryediplomat i vendit të tij në Poloni, kishte të bënte me faktin se babai i tij ishte një oficer i ushtrisë gjermane që kishte shërbyer në rrethin e ngushtë të Adolf Hitlerit në javët e fundit të luftës.

“Ajo që është e çuditshme për ne, është që Berlinit nuk i shkoi mendja se zgjedhja e tyre do të shkaktonte pakënaqësi”, tha një zyrtar i lartë polak.

Gjermanët u habitën nga reagimi. Babai i Freytag von Loringhoven, ishte një oficer karriere, por nuk u akuzua për krime lufte. Ai më pas u bë gjeneral i forcave të armatosura të pas luftës në Gjermani.

Debati për emërimin e Freytag von Loringhovenit, është vetëm një prej përplasjeve të pakëndshme, që i kanë rrënjët në të kaluarën dhe që i ka çuar marrëdhënien gjermano-polake në një pikë jashtëzakonisht të ulët.

Partia nacionaliste konservatore në pushtet për Ligjin dhe Drejtësinë, e njohur si PiS, ka akuzuar Gjermaninë se po përpiqet që të rimarrë territorin që humbi ndaj Polonisë pas vitit 1945 dhe ka deklaruar vazhdimisht se Gjermania duhet të kompensojë Poloninë për dëmin e shkaktuar ndaj vendit në Luftën e Dytë Botërore, një konflikt që u ndez nga pushtimi i Gjermanisë naziste në Poloni.

Ditën kur Polonia pranoi zyrtarisht ambasadorin e ri të Gjermanisë, që përkoi me 81 vjetorin e fillimit të luftës, një komision parlamentar polak njoftoi se kishte finalizuar shifrën e kompensimit që kërkon nga Gjermania. Shifra nuk është bërë publike por në të kaluarën Varshava i ka vlerësuar dëmet e luftës në rreth një trilionë Euro.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki thotë se Polonia ka humbur 6 milionë vetë në luftë dhe “shumë më tepër se çdo vend tjetër që ka marrë kompensime të larta…Gjermanët shkatërruan mbi 1 mijë fshatra polakë”, tha ai në një intervistë së fundmi.

Gjermania ka mohuar vazhdimisht se i detyrohet Polonisë financiarisht, pasi Varshava hoqi dorë nga kërkesa për kompensim në viitn 1953.

Për gjermanët, rishfaqja e historisë së luftës është shqetësuese. Ata besojnë se kanë pranuar përgjegjësinë morale për luftën dhe se kanë bërë shumë për të shlyer fajin për të kaluarën, si edhe për të ngritur një Gjermani të re, paqësore që ka ndihmuar në ndërtimin e Bashkimit Evropian.

Ata i shohin veprimet e PiS-së si një përpjekje për të ushqyer ndjenja anti-gjermane, vetëm për arsye të politikës së brendshme, pasi është një argument tërheqës për mbështetësit kryesorë të partisë në pjesën lindore më të varfër dhe mund të ketë ndihmuar presidentin Andrzej Duda që është i afërt me këtë forcë politike, të ketë fituar një mandat të dytë në korrik, në një garë të ngushtë.

Edhe partitë kryesore të opozitës mendojnë të njëjtën gjë.

Jo vetëm Polonia

Megjithatë nuk janë vetëm marrëdhëniet mes Berlinit dhe Varshavës që po ndjejnë efektin e kujtimeve të luftës.

Nën sipërfaqe, mëritë e luftës po zjejnë edhe në pjesë të tjera të Evropës, me pasoja të mundshme për konsolidimin e Bashkimit Evropian.

Anketuesit kanë vënë re një rritje të ndjenjave anti-gjermane në Itali dhe Spanjë, si edhe në Greqi ku kriza financiare pas vitit 2008 dhe mënyra si e menaxhoi Gjermania, vazhdon të ngjallë zemërim. Në Hungari dhe gjetiu në Evropën Qendrore, Angela Merkel fajësohet se inkurajoi fluksin e migrantëve në vitin 2015 në Evropë, me politikën e saj të dyerve të hapura për azilkërkuesit.

Disa vëzhgues parashikojnë se ndjenjat e pakënaqësisë ndaj Gjermanisë vetëm do të rriten në muajt në vazhdim, për dy arsye kryesore.

E para është se vendet më të varfra evropiane do të irritohen edhe më tej me hendekun gjithnjë e më të thellë mes gjendjes së tyre ekonomike dhe asaj të Gjermanisë, e cila ka gjasa t’i kapërcejë më me sukses pasojat e pandemisë së koronavirusit.

“Bashkimi Evropian supozohet të jetë një instrument bashkimi, që përhap mirëqenie në vend që të krijojë ndarje mes vendeve më të pasura dhe më të varfra. Por nuk ka ndodhur kështu”, shkruante së fundmi gazeta “The Economist”.

Pabarazia në rimëkëmbjen ekonomike, rrezikon që të ushqejë ndjenjat nacionaliste në vendet që janë më në dizavantazh.

Dhe Gjermania po bëhet gjithnjë e më shumë forca mbizotëruese në politikën evropiane, falë peshës ekonomike dhe pjesërisht si rezultat i daljes së Britanisë nga BE-ja, thonë analistët. Shumë nga postet kryesore në Bruksel mbahen nga gjermanët, përfshirë presidencën e Komisionit Evropian dhe asnjë nga propozimet madhore nuk mund të kalojnë pa miratimin e Berlinit.