FBI heton qindra raste nën dyshimet për mashtrime me ndihmat për COVID-19

Zyrat qëndrore të FBI në Uashington

Byroja Federale e Hetimit, FBI, thotë se po heton disa qindra raste të dyshuara për mashtrim ku përfshihet programi popullor i ndihmës ekonomike i krijuar për bizneset e vogla të goditura nga pandemia e koronavirusit.

John Jimenez, zëvendës ndihmës drejtor i FBI-së tha të enjten se byroja ka identifikuar afro 500 individë të dyshuar për mashtrime për të përfituar nga Programi i Mbrojtjes së Pagave ose shkurtimisht PPP.

“Ne i marrim seriozisht këto veprimtari mashtruese dhe hetojmë secilin rast në mënyrë agresive”, tha zoti Jimenez.

Njoftim u bë i ditur gjatë një konference shtypi në Departamentin e Drejtësisë ku zyrtarët amerikanë të zbatimit të ligjit njoftuan ngritjen e akuzave për mashtrim ndaj mbi dhjetë të pandehurve të rinj.

Në total, divizioni i krimeve ka ngritur akuza ndaj 57 individëve për mashtrime në lidhje me programin, përveç rasteve të tjera të ngritura nga prokurorët federalë në mbarë Shtetet e Bashkuara.

Brian Rabbitt, shef në detyrë i divizionit të krimeve, paralajmëroi të enjten se ngritja e akuzave të reja është në proces e sipër.

“Puna jonë po vazhdon. Ende nuk kemi mbaruar.”

Programi i Mbrojtjes së Pagave (PPP) u krijua në muajin mars si pjesë e një pakete stimuluese ekonomike të Kongresit prej 2.2 trilionë dollarësh në përgjigje të pandemisë së koronavirusit. Programi, i mbikëqyrur nga Administrata e Biznesit të Vogël, ofroi kredi për bizneset e vogla që do të faleshin në rastet kur fondet ishin përdorur për të paguar punonjësit e tyre, që do të thotë që punonjësit të mos humbisnin vendin e punës.

Më shumë se 5.2 milionë kredi me vlerë totale prej të paktën 525 miliardë dollarësh u dhanë për huamarrësit, kryesisht bizneset e vogla, por në disa raste, korporata të mëdha. Kongresi po debaton vazhdimin e programit si pjesë e një pakete të re më të vogël stimulimi.

Ndërsa programi i kredive synonte të ofronte një linjë shpëtimi për pronarët e bizneseve në gjendje të dëshpëruar, ai po ashtu la shteg për mashtrime.

Të 57 individët e akuzuar për mashtrime me programin në fjalë u përpoqën të vidhnin 175 milionë dollarë nga programi, duke rezultuar në 70 milionë dollarë humbje për qeverinë, tha zoti Rabbit. Rastet varionin nga kërkesa për më pak se 30 mijë dollarë e deri në 24 milionë dollarë.

“Këto para që të pandehurit vodhën ishin paratë e taksapaguesve. Çdo dollar është marrë nga llogaria e popullit amerikan. Çdo dollar që ata përvetësuan ishte lënë mënjanë për të ndihmuar amerikanët që të përballonin një nga krizat më të rënda të vendit në historinë e kohëve të fundit,” tha zoti Rabbitt.

Për të marrë kredi, të pandehurit dyshohet se gënjyen për numrin e punonjësve të tyre në dokumentet e plotësuara për marrjen e huasë dhe paraqitën dokumente të fallsifikuara taksash, përveç keqinterpretimeve të tjera, sipas zyrtarëve të zbatimit të ligjit.

Akuzat e para për mashtrime lidhur me programin PPP u ngritën në maj. Në atë rast, dy burra nga Massachusetts dhe Rhode Island pretendohet se kërkuan më shumë se gjysëm milion dollarë kredi duke pretenduar se ishin pronarë të katër biznesve me dhjetëra punonjës, kur nuk kishin asnjë.

Të tjerët vepruan si pjesë e rrjeteve të kordinuara kriminale. Në gusht, prokurorët ngritën akuza ndaj pronarit të një kompanie me bazë në Florida dhe tetë të tjerëve në lidhje me një skemë për të marrë më shumë se 24 milionë dollarë kredi nga programi PPP.

Phillip J. Augustin, pronar i “Clear Vision Music Group LLC”, përmes deklaratave të rreme mori një kredi për kompaninë e tij, akuzojnë prokurorët. Augustin dhe një bashkëpunëtor më pas rekrutuan aplikantë të tjerë për kredi, duke paraqitur aplikime në emër të tyre në shkëmbim të rryshfeteve, sipas dokumenteve të gjykatës.

Mes të akuzuarve të tjerë për mashtrime në programin PPP, është edhe një përsonalitet televiziv në Xhorxhia dhe dy në Florida që kërkuan kredi prej më shumë se 1 milion dollarësh duke pretenduar se punësonin më shumë se 12 punonjës në “ferma” që faktikisht ishin oborret e banesave të tyre personale.

Të akuzuarit pastaj filluan të shpenzonin paratë pa droje. Personaliteti televiziv Maurice Fayne, që përdor nofkën “Arkansas Mo” në kanalin VH1, dyshohet se përdori 2 milionë dollarë nga kredia PPP për të blerë veturën superluksoze Rolls-Royce dhe një orë të markës Rolex, përveç artikujve të tjerë luksi.

“Fondet nga programi PPP kishin qëllim të ndihmonin bizneset amerikane të mbijetonin. Ju siguroj se nuk kishin për qëllim të ndihmonin ëndërrat e mashtruesve për të zotëruar Lamborghini, Rolls-Royce, Range Rover ose diamante”, tha zoti Rabbitt.