Afrikano-jugorët janë të indinjuar nga njoftimet e medias amerikane sipas së cilave, Presidenti Donald Trump, kishte folur me përçmim për ikonën e Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, presidenti i parë me ngjyrë i vendit dhe Nobelist i Paqes, para se të merrte detyrën. Komentet që zoti Trump mohon t’i ketë bërë, janë pjesë e një libri të ish-avokatit të tij Michael Cohen.
Megjithë kundërshtimin e fortë nga ana e Shtëpisë së Bardhë, afrikano-jugorët kritikuan ashpër komentet që thuhet se ka bërë Presidenti Trump për Nelson Mandelën.
Ish-avokati i tij, Michael Cohen, në një libër të tij, thotë se pak pas vdekjes së zotit Mandela në vitin 2013, zoti Trump kishte folur me përçmim për ikonën e Afrikës së Jugut dhe kishte thënë se ai nuk ishte “ndonjë udhëheqës”.
Nipi i Mandelës, Ndaba Mandela foli me Zërin e Amerikës pasi media amerikane njoftoi për këto komente të supozuara dhe u përhapën më pas në lajmet e Afrikës së Jugut.
“Kur sulmon Nelson Mandelën, për mua është e qartë që nuk sheh dhe nuk ndan të njëjtat vlera me njerëzit që ne i konsiderojmë si përparimtarë në këtë botë, ata që po përpiqen të krijojnë një botë më të bashkuar, që nuk është një person që ka të njëjtat vlera. Ne e shohim si një person që ka krijuar pabarazi dhe madje përçarje, jo vetëm në Amerikë, por që ka prekur edhe solidaritetin e komunitetit global”, tha ai.
Në librin e zotit Cohen pretendohet gjithashtu se zoti Trump kishte përdorur një gjuhë të papërshtatshme për të përshkruar vendet afrikane dhe gjuhë raciste për njerëzit me ngjyrë dhe hispanikë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany nxorri një deklaratë gjatë fundjavës, ku thuhej se zoti Cohen ishte një kriminel i diskredituar, i shpallur fajtor se kishte gënjyer Kongresin.
“Ai ka humbur gjithë besueshmërinë dhe nuk është befasi të shohësh përpjekjen e tij të fundit për të përfituar nga gënjeshtrat”, tha ajo.
Zoti Cohen u shpall fajtor në vitin 2018 për shkelje lidhur me financat e fushatës, taksat dhe deklarata të rreme.
Por në rrugët e Johanesburgut, afrikano-jugorët duken të bindur që zoti Trump mund të bëjë komente të tilla, edhe për Mandelën.
“Ajo që ka thënë Donald Trump është e gabuar, është e papranueshme për njerëzit. Është racizëm, që shkakton zemërim në vendin tonë dhe ai nuk e sheh një gjë të tillë. Ai duhet kritikuar për ato që thotë”, thotë Peter Ncala.
Zoti Trump ka bërë komente publike për Afrikën e Jugut më parë, duke shkruar në Twitter një javë pas vdekjes së Mandelës se ai vend ishte një “kaos i mbretëruar nga krimi, gati për të shpërthyer”.
Fondacioni “Mandela” tha në një deklaratë se “ne nuk besojmë që udhëheqësit që sillen si zoti Trump, kanë të drejtën të bëjnë komente për jetën dhe punën e zotit Mandela”.
Mandela mori çmimin Nobel të paqes për rolin e tij në përmbysjen e sistemit të aparteidit në Afrikën e Jugut.
Ambasadorja amerikane, Lara Marks, e emëruar nga zoti Trump tha në një deklaratë se kishte folur për Afrikën e Jugut disa herë me presidentin dhe se ai “ka folur gjithmonë pozitivisht për vendin”.