Politikanë e diplomatë gjermanë kërkuan të enjten që Evropa t’i japë një përgjigje Rusisë pas helmimit të kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny me agjentin nervor Novichok, përgjigje që siç thanë ata duhet të përfshinte edhe gazsjellësin Nord Stream 2. Kancelarja Merkel tha se ajo priste që Moska t’u bashkohej përpjekjeve për të hedhur dritë mbi atë që ndodhi. Ajo tha se Gjermania do të konsultohej me aleatët e saj të NATO-s duke mos përjashtuar mundësinë e sanksioneve të reja Perëndimore ndaj Rusisë.
Udhëheqësi i Bashkimit Social-Kristian (CSU) dhe Kryeministri i Shtetit të Bavarisë, Markus Soeder tha se ai mbështeste kursin aktual të kancelares Angela Merkel dhe shtoi se Evropa duhej të dilte me një "përgjigje inteligjente, afatgjatë dhe të unifikuar".
"Lajmi që morëm dje ishte i tmerrshëm. Ne mbështesim kursin e ndjekur nga kancelarja e cila do të kërkojë përgjigje të qartë dhe të unifikuar nga Evropa. Mendoj se është e rëndësishme që Evropa të punojë së bashku. Kjo nuk do të ndodhë brenda natës pasi kërkohet një përgjigje inteligjente, e unifikuar dhe afatgjatë evropiane. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme", tha ai.
Për sa i takon gazsjellësit Nord Stream 2, zoti Soeder tha se kjo çështje nuk i takonte këtij shteti duke qenë një projekt i sektorit privat, por ai shtoi se Gjermania duhej t’u qëndrojë besnike vlerave të saj.
"Në lidhje me Nord Stream-in ky nuk është vendimi i shtetit, përkundrazi është kryesisht një vendim ekonomik i sektorit privat. Sipas mendimit tim, në këtë moment një gjë nuk ka të bëjë me tjetrën. Në të njëjtën kohë hedh hije dyshimi mbi projektin, por ne duhet të hedhim hapat e parë e të qartësojmë çështjet diplomatike e politike. Diplomacia jonë ndërkombëtare ka si përparësi ruajtjen e ekuilibrit të duhur. Ka interesa të cilat po vihen në diskutim, por ne gjithashtu kemi vlera të cilave u përmbahemi, të cilat sigurisht po sfidohen për momentin", shtoi ai.
Në një reagim të saj mbi ngjarjen Kancelarja Merkel tha se priste që Moska t’u bashkohej përpjekjeve për të zbardhur atë që ndodhi. Gjermania tha ajo do të konsultohej me aleatët e saj të NATO-s mbi përgjigjen, duke mos përjashtuar mundësinë e sanksioneve të reja Perëndimore ndaj Rusisë.
Gazsjellësi 1,230 kilometra i gjatë që vjen nga Rusia në Gjermani, i projektuar nga kompania ruse "Gazprom", sipas planeve paraprake që do të niste punën në gjysmën e parë të vitit 2020. Në janar 2020 Presidenti rus Vladimir Putin tha se shpresonte që gazjellësi Nord Stream 2, i cili do të çojë gazin rus në Evropë duke shmangur kalimin tranzit nëpër Ukrainë, do të përfundojë në fund të vitit ose në tremujorin e parë të 2021, kjo pasi sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara vonuan ndërtimin e tij. Nord Stream 2 është përballur me kundërshtime politike nga Uashingtoni, Ukraina dhe Polonia, këto të fundit të ashtuquajtura vende tranzit për gazsjellësin në rrugëtimin e tij drejt konsumatorëve në Evropën Perëndimore. Administrata e Presidentit Trump e ka kundërshtuar projektin me arsyetimin se ai do të forconte kontrollin ekonomik të Rusisë mbi Evropën.
Aktualisht udhëheqësi i opozitës ruse Aleksei Navalny ndodhet në repartin e kujdesit intensiv në një spital të Berlinit. Qeverisë gjermane njoftoi të mërkurën se një laborator ushtarak prodhoi "prova të qarta" se ai ishte helmuar me agjentin nervor të periudhës sovjetike, Novichok. Moska e ka mohuar përfshirjen në helmimin e zotit Navalny, një kritik i vjetër i udhëheqësit të Kremlinit Vladimir Putin. Ministria e jashtme ruse tha se pohimi i Gjermanisë nuk mbështetej me prova.
Wolfgang Ischinger, kryetari i Konferencës së Sigurisë së Mynihut dhe ish-ambasador i Gjermanisë në Uashington, mbështeti idenë e një përgjigje të përbashkët të BE-së dhe NATO-s dhe tha se veprime më të buta, si dëbimet e diplomatëve, mund të mos mjaftojnë.