Rusia njoftoi këtë muaj se ka arritur të zhvillojë vaksinën e parë kundër koronavirusit. Por kjo fitore e vetëshpallur dhe planet e njoftuara për prodhim në masë të vaksinës nuk kanë ndalur pyetjet për efektivitetin dhe sidomos dyshimet nëse vaksina është e padëmshme.
Your browser doesn’t support HTML5
Bota i ka varur shpresat tek zhvillimi i një vaksine për të luftuar koronavirusin. Në këtë klimë, Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi me bujë se shkencëtarët rusë do të shpëtonin njerëzimin me vaksinën e parë kundër këtij virusi të rrezikshëm:
“E di që është mjaft efektive dhe ofron imunitet të konsiderueshëm. E përsëris që ka kaluar të gjitha kontrollet e nevojshme,” tha Presidenti Putin.
Vaksina është zhvilluar nga Instituti shtetëror Gamaleya, i cili thotë se ka realizuar me sukses prova me punonjës dhe vullnetarë, përfshirë me vajzën e Presidentit Putin.
Por instituti tani sapo i ka filluar provat klinike që janë një element stardard për të vërtetuar efikasitetin e vaksinës dhe për të garantuar që është e padëmshme. Kjo ka krijuar shqetësime se Rusia mund të ketë kapërcyer hapa të rëndësishëm për të dalë e para me vaksinë.
“Nuk po flas se kam ndonjë tendencë ekzistuese. Duhet bërë faza e tretë, duhen bërë provat klinike për të vërtetuar se vaksina nuk është e dëmshme kur bëhet në mijëra vetë, siç e kërkojnë normat ndërkombëtare. Do të gëzoheshim shumë nëse vërtetohet e tillë. Por për momentin duket se deklarata u bë me ngut,” thotë mjekja Anastasia Vasilieva.
Megjithëse qeveria ka në plan të fillojë vaksinimin e punonjësve të shërbimeve jetike muajin e ardhshëm, një anketë tregon se më shumë se gjysma e mjekëve rusë nuk do të pranojnë të vaksinohen.
Organizata Botërore e Shëndetësisë po ashtu e klasifikon vaksinën ruse si në fazat fillestare të zhvillimit dhe ka këshilluar Kremlinin të mos ngutet duke kaluar në procesin e prodhimit në masë.
Ndërkaq, punonjës rusë të shëndetësisë thonë se shumë nga kolegët e tyre kanë paguar çmimin më të rëndë gjatë pandemisë.
Në Shën Peterburg është krijuar një përmendore provizore për të nderuar punonjësit e shëndetësisë që vdiqën nga sëmundja. Popullata, ndërkaq, i sheh me dyshim statistikat qeveritare lidhur me betejën kundër pandemisë.
“U bë e qartë se mjekët tanë do të ishin të parët që humbisnin jetën nga pandemia. Prandaj krijuam këtë mur përkujtimor që qyteti t’i kujtojë ata që kanë luftuar për të shpëtuar jetë,” thotë një vullnetare tek përmendorja.
Rusia, me afro një milion të diagnostikuar me koronavirus, aktualisht renditet e katërta në botë për nga numri i rasteve, pas Shteteve të Baskuara, Brazilit dhe Indisë.
Po ashtu duket se popullata po ndjehet disi e velur nga masat mbrojtëse si vënia e maskave, distancimi fizik e të tjera. Rusët duket të gatshëm për t’u kthyer në normalitetin para pandemisë dhe për momentin i kanë varur shpresat tek një vaksinë e paprovuar si garanci.