Nju Jork, kinematë përgatiten të rihapen

Qyteti i Nju Jorkut po i rikthehet me kujdes një normaliteti relativ, pas disa javë masash të ashpra izolimi për të ndalur përhapjen e koronavirusit. Kinematë në këtë qytet po shpresojnë të hapin dyert e tyre sërish. Ndërkaq, gjatë pandemisë ka rifituar popullaritet në Nju Jork shfaqja e filmave përjashta.

Your browser doesn’t support HTML5

Rihapja e kinemave në Nju Jork pas izolimit të pandemisë

Këtu, nuk ka nevojë të bëni kontrolle të temperaturës, të dizinfektoni duart ose të përdorni maska. Me horizontin e Manhattanit në sfond, çdo film është një kryevepër.

Në veçanti filmi "Kthim tek e Ardhmja".

((Stephanie, banore e qytetit Nju Jork))

"Në botën që jetojmë tani dhe distancimin fizik, kjo është një zgjidhje e lehtë për të dalë me dikë! Takim në vitin 2020!", thotë Stephanie, banore e qytetit Nju Jork.

"COVID-i nuk lejon të shkojmë në kinema, apo gjetiu. Kështu që është një shans për t'u ulur këtu, për të parë një film dhe për të shijuar horizontin ... Diçka ndryshe!", thotë Dan Petroff, banor i Nju Jorkut.

Qyteti i Nju Jorkut po tregohet i kujdesshëm pasi përjetoi kaq shumë vdekje në fillim të këtij viti, kur u shndërrua në vatër kryesore të koronavirusit. Ndërsa kinematë janë gati të rihapen, dyert e tyre do të qëndrojnë të mbyllura tani për tani.

"Tani për tani, është e mbyllur, së bashku me qendrën tonë të filmit. Dhe nuk ka qenë e hapur që nga 12 marsi", thotë Lesli Klainberg.

Lesli Klainberg është Drejtore Ekzekutive e Shoqërisë së Filmit të Qendrës "Lincoln".

Ajo ende nuk ka marrë ndonjë udhëzim nga autoritetet e qytetit ose të shtetit në lidhje me rihapjen e sallave të kinemave të Qendrës "Lincoln". Sidoqoftë, disa përgatitje serioze tashmë janë bërë. Sistemet e ventilimit janë rinovuar; koleksioni i filmave është rritur.

"Normalisht, do të ishim të kufizuar tek sallat fizike. Tani mund të programojmë 8-9 filma njëherësh!", thotë zonja Klainberg.

Festivali vjetor i filmit të qytetit, i cili fillon në fund të shtatorit, nuk do të ketë kufizime. Të gjithë filmat do të shfaqen në hapësirat e jashtme të Nju Jorkut.

"Duam që Festivali i Filmit në Nju Jork të jetë një festival i vërtetë i Nju Jorkut. Normalisht, festivali bëhet vetëm brenda kufijve të rrugës 65 ... Dhe këtë vit, dalja në qytet është shumë domethënëse për ne. Mendojmë se filmi mund të jetë një mënyrë që qyteti të rihapet, që njerëzit të dalin sërish dhe të shijojnë artet përsëri!", thotë zonja Klainberg.

Kinematë përreth Nju Jorkut shfaqin ende postera nga muaji mars, por në pritje të rihapjes një ditë, atyre u duhej të bënin disa rregullime kryesore. Kinematë do të duhet të funksionojnë me kapacitet vetëm 30% - 50%. Sistemet e ventilimit janë rinovuar, dhe gjatë pushimit, çdo sallë do të pastrohet plotësisht.

Kur më në fund të lejohen të rihapen, një firmë kinemash premton bileta me çmim vetëm 15 cent.

Ky është çmimi i një bilete njëqind vite më parë të AMC-së, kompanisë më të madhe të kinemave në Shtetet e Bashkuara.

Kinematë e vogla private do ta kenë më të vështirë të përshtaten me realitetin e ri, por janë duke punuar për shfaqjen e filmave në internet.

Vajtja me makinë në kinematë e hapura mund të jetë opsioni i vetëm tani për tani në Nju Jork. Dhe derisa të vijë vjeshta me reshje, mund të jetë edhe opsioni më i këndshëm.