Asnjë përparim në bisedimet Kosovë-Serbi në nivel ekspertësh

  • Leonat Shehu

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, tha të enjten se ekipet e ekspertëve të të dyja palëve në Bruksel, kanë biseduar për finalizimin e çështjeve të diskutuara në takimet e fundit.

Në një postim në rrjetin social twitter zoti Lajçak shkruante se "para takimit të nivelit të lartë politik në fillim shtatorit, u takova sot me kryenegociatorët/bashkërenduesit për të punuar në finalizimin e çështjeve të diskutuara në takimet e fundit”.

Bisedimet e së enjtes të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshinë çështjet ekonomike, çështjen e të zhvendosurve dhe personat e pagjetur.

Por pas takimit zyrtarët e të dyja vendeve akuzuan njëri-tjetrin për mungesë të përparimit në këto tema.

Bashkërenduesi shtetëror i Kosovës në këto bisedime Skënder Hyseni tha se pala serbe është treguar jokonstruktive.

Dhe kjo duhet të theksohet me zë të lartë dhe të qartë. Pala serbe sot madje u është kthyer edhe elementëve për të cilët kemi pas dakordim në parim. Serbia ka bërë përpjekje që të rihapë kapitujt të caktuar të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për të cilat kemi pasur një dakordim në parim”, tha zoti Hyseni.

Zoti Hyseni tha se Serbia po synon të zvarrisë procesin e bisedimeve dhe se sipas tij nuk mund të ketë zgjidhje pa njohje të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve.

Korniza që garanton trajtim dhe zgjidhje si dhe zbatim të çdo marrëveshje mbi çfarëdo çështje që ekzistojn është njohja reciproke. Pa këtë kornizë ne vetëm mund të rrëshqasim në dhjetë vjetë të tjera humbje kohe krejtësisht e panevojshme dhe të thellimit të mospajtimeve që mbeten të mëdha”, tha zoti Hyseni.

Ndërsa shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë Marko Gjuriç tha se bisedimet kanë qenë të vështira dhe shpesh armiqësore.

Ne sot këtu kemi luftuar për interesat e serbëve përmes zgjidhjes së probleme për çështjet jetike të njerëzve të zakonshëm dhe çështje me rëndësi për njerëzit tanë në Kosovë është zbardhja e fatit e më shumë se 500 serbëve të zhdukur”, tha ai duke nënvizuar se "Serbia është e interesuar që të arrijë marrëveshje të zbatueshme dhe që zgjidhë problemet e serbëve në Kosovë".

Zoti Gjuriç tha se ka kërkuar që të zbatohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe ndërsa ka ngritur edhe çështjen e ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë afër manastirit mesjetar të Deçanit.

Ky ishte takimi i tretë i ekipeve teknike të bisedimeve që nga rifillimi i tyre në fillim të muajit korrik.

Bisedime u mbajtën një javë para takimit në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, të ndërmjetësuara nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien dhe i dërguari i posaçëm i presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se është duke bërë përgatitje për takimin në Shtëpinë e Bardhë ndërsa u ka dërguar ftesa edhe partive opozitare për t’u përfshirë në delegacionin e Kosovës për këto bisedime. Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë refuzuar dërgimin e përfaqësuesve në këto bisedime.

Udhëheqësit e institucioneve në Kosovë e kanë mirëpritur angazhimin amerikan për mbajtjen e takimit në Shtëpinë e Bardhë, i cili do të zhvillohet disa ditë para takimit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel më 7 shtator, për të vazhduar bisedimet e rifilluara më 16 korrik.