Përparësitë e poltikës së jashtme të Partisë Republikane ndjekin qendrimet e Presidentit Trump

Presidenti Donald Trump me zëvendës kryeministrin kinez, Liu He.

Fizionomia e politikës së jashtme së Partisë Republikane gjatë katër viteve të fundit, është përcaktuar pothuajse tërësisisht nga qendrimet e Presidentit Donald Trump ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare, përfshirë marrëveshje të reja tregëtare, mosbesim ndaj organizatave ndërkombëtare dhe thirrje për të reduktuar dislokimin e trupave amerikane në vende të tjera.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe rregullave të distancimit, Partia Republikane këtë vit nuk hartoi një platformë të re partie, e cila tradicionalisht paraqet një tablo zyrtare të vizionit dhe përparësive të partisë.

Megjithatë, partia tha përmes një rezolute që u bë publike në kuvendin e republikanëve në Sharlotë të Karolinës së Veriut se nëse do të kishte qenë në gjendje të mblidhej në vitin 2020 për të hartuar një platformë të re, do të kishte mbështetur “pa dyshim njëzëri” programin e administratës së Presidentit Trump.

Republikanët i kanë përqafuar objektivat e politikës së jashtme të Presidentit Trump, përgjithësisht të udhëhequra nga parrulla e tij “Amerika e para”, që ai e prezantoi gjatë fushatës së vitit 2016 dhe e përsëriti të hënën, në një përmbledhje të programit për një mandat të dytë, që u bë publike nga fushata e tij. Objektiva të tjera të politikës së jashtme ishin të “riktheheshin trupat në vend” dhe t’i jepej “fund mbështetjes tek Kina”.

Kina

Kina është bërë një nga temat qendrore të politikës së jashtme në fushatën e vitit 2020, e theksuar edhe më shumë nga lufta tregëtare e Presidentit Trump, si edhe pyetjeve lidhur me mënyrën se si e menaxhoi Kina pandeminë.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina nënshkruan fazën e parë të një marrëveshjeje tregëtare në janar, pas disa raundeve tarifash dhe kundër-tarifash me vlerë miliarda dollarë. Marrëveshja është paraqitur nga Partia Republikane si provë se presidenti mund t’i realizojë objektivat e tij tregëtare dhe pasoi një marrëveshje tjetër tregëtare nga administrata e Presidentit Trump për Amerikën e Veriut.

Megjithatë negociatat për një fazë të dytë të marrëveshjes tregëtare me Kinën, kanë ngecur. Zoti Trump tha në korrik se marrëveshja ka shumë më pak rëndësi për të tani, për shkak të asaj që ai e quajti rolin e Kinës në përhapjen e pandemisë së koronavirusit dhe këtë muaj ai anuloi një raund të ri bisedimesh tregëtare me Kinën, duke thënë se “nuk dua të flas me Kinën në këtë moment”.

Disa anëtarë të Partisë Republikane i kanë bërë thirrje zotit Trump të jetë edhe më i rreptë me Kinën.

Edward Alden, studiues në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, tha se nëse zoti Trump rizgjidhet, ai parashikon që presidenti të bëhet edhe më antagonist ndaj Kinës.

“Të dyja partitë, por veçanërisht Partia Republikane, po e shohin tani Kinën jo vetëm si rivale ekonomike por edhe si një kërcënim në rritje sigurie”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Synimet e programit të presidentit Trump për mandatin e dytë, përfshijnë premtimin “për risjelljen nga Kina të 1 milionë vendeve të punës në prodhim”, si edhe mosdhënien e kontratave federale për kompanitë që i çojnë vendet e punës në Kinë.

Afganistan

Programi i Presidentit për mandatin e dytë, premton edhe “ndaljen e luftrave pa fund” dhe risjelljen e trupave amerikane, synime që u bëjnë jehonë fushatës së vitit 2016.

Trupa amerikane në Afganistan


Por megjithëse zoti Trump e ka përsëritur shpesh dëshirën për t’u dhënë fund luftrave në Irak, Siri dhe Afganistan, ai nuk ka arritur ta përmbushë objektivin për të reduktuar numrin e trupave amerikane jashtë vendit.

Në Afganistan, zoti Trump ra dakord në vitin 2017 për një rritje trupash me kërkesën e kryekomandantit të atëhershëm amerikan në Afganistan, gjeneral John Nicholson, duke e çuar numrin e tyre në rreth 14,000.

Numri aktual i trupave në atë vend është ulur në 8,500, aq sa ishte kur Presidenti Trump mori detyrën në vitin 2017, dhe së fundmi presidenti ka paraqitur planet për tërheqje të mëtejshme si pjesë e kushteve deri tani të paplotësuara në një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe talebanëve nënshkruar këtë vit.

Zoti Trump i ka mbrojtur përpjekjet e tij për diplomaci me talebanët, duke thënë në një fjalim në vitin 2019 në OKB se “Shtetet e Bashkuara nuk kanë besuar kurrë idenë e armiqve të përhershëm”.

Charles Stevenson, një profesor i politikës së jashtme amerikane në Fakultetin e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins, tha se kandidatët e të dyja partive shpesh premtojnë të pakësojnë nivelin e trupave por hasin vështirësi në plotësimin e këtij premtimi, pasi marrin detyrën.

“Tërheqja e plotë nga një rajon vjen me kosto”, përfshirë ato diplomatike dhe politike, tha ai.

Aleancat ndërkombëtare

Zoti Trump ka bërë një politikë të jashtme shumë të ndryshme se shumica e paraardhësve të tij, duke vënë në pikëpyetje publikisht vlerën e aleancave dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë NATO-n, Organizatën Botërore të Tregëtisë dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Lidhur me NATO-n, zoti Trump ka argumentuar se shumë anëtarë të saj nuk shpenzojnë sa ç’duhet për mbrojtjen për të përmbushur angazhimet e tyre.


“Vendet e NATO-s duhet të pagujanë MË SHUMË, Shtetet e Bashkuara duhet të paguajnë më PAK. Shumë e padrejtë”, shkruante në Twitter zoti Trump para një takimi të nivelit të lartë të aleancës në vitin 2018.

Kostoja ekonomike është shpesh një faktor kryesor në qëndrimet e Presidentit Donald Trump për politikën e jashtme dhe ai ka ngritur pikëpyetje lidhur me kostot për bazat ushtarake amerikane përreth botës, përfshirë në Japoni, Korenë e Jugut dhe Gjermani.

Presidenti është tërhequr nga disa marrëveshje ndërkombëtare që kur ka marrë postin, përfshirë atë të Parisit për klimën, Traktatin për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi dhe marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Presidenti Trump nuk është druajtur të angazhohet në debate publike me një numër udhëheqësish botërorë, përfshirë ata të Gjermanisë, Francës dhe Kanadasë.

Zoti Alden tha se programi i zotit Trump “Amerika e para” shpesh anon në një polici që më saktë do të përshkruhej si “Amerika e vetme”. Ai tha se nën zotin Trump, “Shtetet e Bashkuara e kanë braktisur tërësisht nocionin se aleatët dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë të rëndësishëm”.

Zoti Trump e ka mbrojtur qëndrimin e tij, duke thënë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 2019 se “Udhëheqësit e mençur gjithmonë vënë popullin dhe vendin e tyre të parët. E ardhmja u takon patriotëve”.

Koreja e Veriut

Ndërsa zoti Trump nuk u druhet mosmarrëveshjeve publike me udhëheqësit botërorë, marrëdhëniet e tij me ta, shpesht luajnë një rol të rëndësishëm në politikat e tij të jashtme.

Kjo ka qenë më shumë e dukshme me Korenë e Veriut. Në fillim të presidencës së tij, zoti Trump e quajti udhëheqësin e saj, Kim Jong Un “burri i vogël i raketave”, por më pas tha për të: “Kemi krijuar një marrëdhënie shumë të mirë”.

Ata të dy janë takuar tre herë dhe sipas njoftimebe kanë shkëmbyer të paktën 25 letra personale.

Në takimin e parë të nivelit të lartë në Singapor në vitin 2018, dy udhëheqësit nënshkruan një marrëveshje për të punuar drejt “çnuklearizimit të plotë të Gadishullit Korean”, por nuk ranë kurrë dakord për detajet e saj.

Megjithë mungesën e detajeve, zoti Trump ka shënuar një fare suksesi në takimet me Kimin. Që kur filluan takimet, Koreja e Veriut nk ka ndërmarrë teste madhore me raketa ose bërthamore.

Por prej muajsh, negociatat kanë ngecur dhe Koreja e Veriut nuk ka pranuar të bisedojë. Kim tha në janar të këtij viti se është i përgatitur për një ngecje afatgjatë me Shtetet e Bashkuara.