Instituti i Kosovës për Drejtësi: Kërkesa për zgjatjen e mandatit të Gjykatës së Posaçme, e panevojshme

  • Leonat Shehu

Your browser doesn’t support HTML5

Në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi i kërkoi parlamentit të ndryshojë një pjesë të ligjit që mundëson zgjatjen e mandatit të Gjykatës së Posaçme me seli në Hagë, e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe pas lufte në Kosovë. Por Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se kjo është e pamundur pasi mandati i gjykatës vazhdon deri në përfundimin e të gjitha rasteve të ngritura. Sipas Institutit, Kosova ka hyrë në fazën kritike kur shumë shpejt pritet të ngrihen apo konfirmohen aktakuzat e para nga Gjykata e Posaçme.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë, kërkesa e presidentit për parlamentin që të zgjasë mandatin e Gjykatës së Posaçme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar parlamentit të Kosovës që të ndryshojë një pjesë të ligjit që zgjatë mandatin e Dhomave të Specializuara në kuadër të Gjykatës së Posaçme me seli në Hagë, që trajton pretendimet për krime lufte dhe pas lufte në Kosovë.

Sipas amandamentit të Kushtetutës së Kosovës, mbi bazën e të cilit është themeluar Gjykata e Posaçme, thuhet se “mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do zgjasë në periudhën prej 5 vjetësh, përveç nëse lajmërimi për përfundimin e mandatit bëhet më herët”.

Por, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do të njoftojë për një gjë të tillë institucionet e Kosovës.

Presidenti Thaçi përmes një videomesazhi mbrëmë, ai tha se drejtësia është rrruga e vetme e zbardhjes së pastërtisë të luftës së Kosovës për liri.

“Jam i bindur se deputetët e kuvendit do ta mbështesin këtë kërkesë të arsyeshme dhe mbetem thellësisht i bindur se mbështetja e drejtësisë për të bërë drejtësi e nderon Kuvendin e Kosovës, dhe rrit përgjegjësinë e shtetit të Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Por, njohësi i çështjeve të drejtësisë, Ehat Miftaraj, njëherësh pjesëmarrës në hartimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme thotë se kjo kërkesë e presidentit të vendit është e panevojshme pasi që sipas tij mandati i kësaj gjykate do të vazhdojë deri në përfundimin e të gjitha rasteve.

“Nëse lexon amendamentet kushtetues lidhur me formimin e Gjykatës Speciale i njejti e përcakton në mënyrë të qartë që mandati është pesë vjeçar por mandati i Gjykatës Specaile do të vazhdojë deri në një njoftim të radhës nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me përfundimin e mandatit të kësaj gjykate dhe kjo bëhet në konsultim me Kuvendin dhe qeverinë e Kosovës, në të kundërtën amendamenti kushtetues që është në fuqi nuk i jep mandat, nuk i jep të drejtë Kuvendit apo qeverisë qoftë për të vazhduar mandatin apo për të ndërmarrë ndonjë masë tjetër që ndërlidhet me pengimin e punës së gjykatës. Në këtë drejtim, këtë e shoh iniciativë të panevojshme dhe që mund ketë pasoja apo që mund të ketë reagime nga faktori ndërkombëtar në ditët në vazhdim”, tha zoti Miftaraj.

Ai thotë se ndryshimet kushtetuese janë hartuar në atë mënyrë që çështja e vazhdimit të mandatit të gjykatës të mos jetë peng i ndryshimeve politike të mundshme në Kosovë.

“Edhe në kohën kur është hartuar amendamenti kushtetues edhe në kohën kur është miratuar ligji është diskutuar për këtë çështje dhe në atë kohë për të mos penguar punën e gjykatës dhe për të mos patur nevojë qoftë nga Kuvendi qoftë nga qeveria për të mos pasur pasiguri juridike lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale nuk ka logjikë dhe nuk mundet që Kuvendi i Kosovës çdo pesë vite të vazhdoj mandatin e punës së saj”, tha zoti Miftaraj.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 nga prokurorët e Dhomave të Specializuara ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Zoti Miftaraj thotë se Gjykata e Posaçme tashmë ndodhet para afateve të fundit për të hudhur apo konfirmuar rastet e para të aktakuzave.

“Tashmë kemi hyrë në kohën kritike besoj, kështu që nga kjo javë mund të pritet konfirmimi apo hudhja e aktakuzave të para dhe me këtë edhe fillimi i shqyrtimeve kryesore. Nëse e shohim edhe webfaqen e Gjykatës Speciale kemi parë kohëve të fundit disa ndryshime ku kemi tani më edhe linkun sa i përket gjykimeve që do të jenë direkt që do të transmetohen për publikun, në këtë drejtim e shohim se edhe gjykata është përgatitur që në rast të konfirmimit të aktakuzave të para të filloj menjëherë me shqyrtimet e këtyre rasteve të cilat do të jenë të qasshme për publikun”, tha ai.

Hetimet, ngritja e gjykatës dhe tashmë paralajmërimi për ngritjen e aktakuzave është shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Më 22 dhjetor të vitit 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i saj. Më vonë, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thanë se “gjykata nuk do të shfuqizohet”.

Në fillim të këtij muaji, Organizata e Veteranëve të UÇK-së, dorëzuan një kërkesë për grupet parlamentare që të ndryshojnë ligjin për Gjykatën e Posaçme duke siguruar siç thuhet një karakter gjithpërfshirës të saj. Por, sipas njohës të fushës së drejtësisë, një gjë e tillë është e parealizueshme.