Në Shqipëri, janë regjistruar gjysmën e parë të vitit mbi 80 ankesa për diskriminimin e qytetarëve mbi motive racore, politike dne paaftësi shëndetësore.
Your browser doesn’t support HTML5
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, thotë se shumë nga ankesat i përkasin diskriminimit të grupeve të gjera sociale, që nuk marrin mbështetjen shëndetësore dhe ekonomike sipas ligjit.
Ndërsa 1/3 (një e treta) e ankesave u përkasin largimeve nga puna për motive politike, kryesisht nga pushteti vendor.
Sipas Komisionerit, pandemia i ka vështirësuar hetimet mbi ankesat e qytetarëve, por në shumicën dërrmuese të rasteve gjykatat i kanë lënë në fuqi vendimet e tij për diskriminim.
Në ankesat e qytetarëve për këto 6 muaj pranë komisionerit për mbrojtjen nga diskriminimi janë mbizotëruese ankesat e personave me aftësi të kufizuara për shkak të gjendjes shëndetësore, sepse nuk përfitojnë trajtime shëndetësore dhe ilaçe.
Shkak tjetër mes ankesave të shumta është pengesat e mëdha në shkollimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe deri te pamundësia e këtij grupimi për të hyrë me rampa në institucione shtetërore dhe biznese private.
Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi, Robert Gajda, thotë se personat me aftësi të kufizuara janë një nga shtresat më shumë të diskriminuara të shoqërisë shqiptare.
Këto 6 muaj janë bërë deri tani 80 ankesa dhe janë marrë 70 vendime, një pjesë janë individuale dhe pjesa më e madhe vijnë nga grupime qytetarësh dhe shoqata të ndryshme. Vendimi i Komisionerit që konfirmon diskriminimin shkon në dobi të një grupi të madh qytetarësh, një kategori të gjerë njerëzish.
Një tjetër grup prej 27 ankesash lidhen me diskriminimin për shkak të bindjeve politike, i cili po vazhdon prej disa vjetësh, si në institucionet qendrore të administratës ashtu edhe në pushtetin vendor pas ndërrimit të kryebashkiakëve
Pranë Komisionerit për mbrojtjen nga diskriminimi janë të pranishme në mënyrë të vazhdueshme ankesat për diskriminim racor, që lidhen me komunitetet rome dhe egjiptiane në Shqipëri.
Këto dy komunitete janë edhe më të varfërat dhe me të diskriminuarat në tema të papunësisë, nivelit të ulët ushqimit, shkollimit dhe në tërësi të mosrespektimit të drejtave njerëzore.
Institucionet kanë filluar të reagojnë ndaj vendimeve të Komisionerit, një pjesë i dërgojnë ato në gjyq, duke mos i pranuar, por gjykatat në shumicën e rasteve i kanë lënë në fuqi vendimet e komisionerit.
Pjesa tjetër zgjidhen me ndërmjetësim para se të dalë vendimi i diskriminimit dhe disa institucione kanë vullnetin të zgjidhin cështjet e diskriminimit.