Presidenti Trump, pranon emërimin e partisë së tij republikane për një mandat të dytë

Presidenti Donald Trump u emërua zyrtarisht të hënën nga partia e tij republikane, si kandidat për një mandat të dytë në zgjedhjet e nëntorit 2020. Emërimi i tij u konfirmua në një moment simbolik në hapje të kuvendit të partisë në Sharlot të Karolinës së Veriut.

Pasi siguroi konfirmimin, presidenti Trump mbajti një fjalim në hapje të aktiviteteve të katër ditëve të kuvendit, ku ai pritet të kritikojë rivalin e tij demokrat Joe Biden.

"Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e vendit tonë", tha Presidenti Trump para 336 delegatëve republikanë në Sharlot.

"Vendi ynë mund të shkojë në një drejtim të tmerrshëm, ose në një drejtim edhe më madhështor. Dhe para se të hynte murtaja (koronavirusi) nga Kina, ne po ecnim në drejtimin e duhur, si kurrë më parë. Kishim nivelin më të mirë (më të ulët) të papunësisë në histori për afrikano-amerikanët, aziatiko-amerikanët, hispanikët, gratë, studentë të kolegjit, studentë të këqij, studentë të mirë, të gjithë", tha zoti Trump.

Javën e kaluar, demokratët, për të shmangur grumbullime me shumë njerëz në kushtet e pandemisë së koronavirusit, e emëruan ish-nënpresidentin Joe Biden si kandidat të tyre presidencial në një kuvend tërësisht virtual.

Republican convention

Republikanët po planifikojnë një skenar tjetër, duke u mbledhur të hënën në Sharlot.

Nga e marta deri të enjten, shumica e aktiviteteve do të zhvillohen në Uashington. Presidenti Trump do të pranojë zyrtarisht emërimin e partisë me një fjalim nga Shtëpia e Bardhë në natën e fundit të kuvendit, që do të pëfundojë me një shfaqje fishekzjarresh.

Delegatët në Sharlot do t’i nënshtrohen kontrolleve të rregullta të temperaturës dhe testimeve të përditshme për Covid-19. Të gjithëve u është kërkuar që të testoheshin para se të largoheshin nga shtetet e tyre, dhe gjatë gjithë punimeve të kuvendit ata do të vendosin në trup pajisje për të bërë të mundur gjurmimin e kontaktit.

Të dielën u vendosën barrikada rreth ndërtesës ku të zhvillohet Kuvendi i Republikanëve, në Sharlot ndërsa 336 delegatë zhvilluan takime në hotelin Westin aty pranë.

Numri i pjesëmarrësve në kuvendin e republikanëve do të zvogëlohet, po jo aq sa ai në kuvendin e demokratëve. Të dyja kuvendet e partive këtë vit anuluan tubimet me mijëra delegatë, siç ka ndodhur në kuvendet e tyre të kaluara.

"Unë jetoj 15 minuta larg sallës, megjithatë nuk do të jem pjesë e tubimeve", i tha Zërit të Amerikës Sarah Reidy-Jones, nënkryetare e partisë republikane në distriktin e Meklenburgut.

Reidy-Jones ishte një nga delegatet e Karolinës së Veriut në kuvendin e republikanëve, por për shkak të kufizimeve, ajo nuk do të shkojë në sallën ku do të zhvillohet takimi të hënën në mbrëmje.

"Kjo reflekton mbylljet që tani po ndodhin në të gjithë vendin", tha ajo.

Delegatët në punë

Delegatët që do të marrin pjesë në tubimin e së hënës në mbrëmje pritet të riemërojnë zyrtarisht 74-vjeçarin Donald Trump për një mandat tjetër katër vjeçar, pasi ai fitoi zgjedhjet e vitit 2016. Disa nga fjalimet e udhëheqësve republikanë gjatë javës në mbështetje të Presidentit Trump do të mbahen në një sallë afër Shtëpisë së Bardhë.

The room is set and delegates begin to arrive for the first day of the Republican National Convention, Monday, Aug. 24, 2020, in Charlotte, N.C. (AP Photo/Chris Carlson)

"Është zhgënjyese, veçanërisht për bizneset në qendër të qytetit, që me të vërtetë prisnin ndikimin ekonomik që kuvendi do të sillte në këtë zonë", i tha Zërit të Amerikës, John Steward, kryetari i Partisë Republikane të distriktit të nëntë të kongresit në Karolinën e Veriut.

"Megjithatë, është emocionuese të jesh në Karolinën e Veriut dhe të shohësh ardhjen e presidentit, dhe të tjerëve nga mbarë vendi në këtë qytet", tha Steward.

Ndërsa Presidenti Trump e fitoi me rezultat të ngushtë shtetin e Karolinës së Veriut në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, Distrikti i Meklenburgut, pjesë e të cilit është qyteti Sharlot, historikisht ka votuar për demokratët si në zgjedhjet lokale, ashtu dhe në ato kombëtare. Në Sharlot u mbajt Kuvendi Kombëtar i Demokratëve në vitin 2012. Kryebashkiaku i qytetit është demokrat, dhe guvernatori i shtetit të Karolinës së Veriut është gjithashtu demokrat.

Demonstrators protest near the Charlotte Convention Center, the site of the Republican National Convention, in Charlotte, North Carolina, U.S. August 23, 2020. REUTERS/Leah Millis

Disa protesta kundër Komitetit Kombëtar të Republikanëve u zhvilluan në Sharlot gjatë fundjavës. Të hënën, të paktën një protestë është planifikuar të mbahet nga grupi “Resist RNC” (Rezistenca ndaj Komitetit Kombëtar të Republikanëve). Një kuvend i republikanëve të moderuar që kundërshtojnë zotin Trump do të mbahet gjithashtu në Sharlot të hënën.

Democratic Convention 2020

Ish-nënpresidenti Biden, ndërsa pranoi emërimin si kandidat persidencial i partisë së tij javën e kaluar, u shpreh se zoti Trump kishte krijuar një "stinë të errësirës në Amerikë" në të cilën ai nuk kishte arritur të kontrollonte pandeminë e kopronavirusit ndërsa miliona amerikanë kanë humbur vendet e tyre të punës. "Ne do të zgjedhim shpresën mbi frikën, faktet mbi trillimet, drejtësinë mbi privilegjin", tha Biden.

Presidenti Trump tha se "demokratët mbajtën kuvendin më të errët, më të zemëruar dhe më të zymtë në historinë amerikane." Ai i akuzoi ata për "sulm kundër Amerikës duke e quajtur atë raciste dhe një vend të tmerrshëm që duhet të rimëkëmbet".

Lexoni edhe këtë Demokratët emërojnë zyrtarisht Joe Biden-in për president

Republikanët për kuvendin e tyre po përdorin sloganin "Nderimi i Historisë së Madhe Amerikane". Fushata e Presidentit Trump tha se çdo natë do të përfshijë fjalime nga udhëheqës politikë, si dhe "qytetarë amerikanë, historitë e të cilëve janë të mbushura me shpresë dhe patriotizëm".

Tre ish-presidentët demokratë, Jimmy Carter, Bill Clinton dhe Barack Obama, së bashku me të emëruarin e demokratëve në vitin 2004, ish senatorin John Kerry dhe kandidaten e demokratëve për preseidente në zgjedhjet e vitit 2016 Hillary Clinton, mbajtën fjalim në mbështetje të zotit Biden në kuvendin e demkratëve. Por, as ish-Presidenti Republikan George W. Bush dhe as kandidati republikan për president në zgjedhjet e vitit 2012, Mitt Romney, i cili tani është senator i Jutas dhe një kritik i Presidentit Trump, nuk do të mbajnë fjalime në kuvendin e republikanëve.

Programi i Kuvendit Republikan

Të hënën në mbështetje të Presidentit Trump do të mbajnë fjalime senatori i Karolinës së Jugut Tim Scott, republikani i vetëm afrikano-amerikan në Senatin amerikan, ligjvënësi nga Luiziana Steve Scalise, ish ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, dhe Donald Trump Jr., djali i madh i presidentit Trump.

U.S. Senator Tim Scott (R-SC) is flanked by Senators Shelley Moore Capito (R-WV) and John Cornyn (R-TX) as he speaks about his new police reform bill unveiled by Senate Republicans during a news conference on Capitol Hill in Washington, June 17.

Të hënën në mbrëmje pritet të mbajnë fjalime edhe Mark dhe Patricia McCloskey, një çift nga qyteti i Seint Luisit në Mizuri, të cilët tërhoqën vëmendjen kombëtare në qershor për daljen më armë në oborrin e tyre të shtëpisë ndërsa protestuesit e lëvizjes “Black Lives Matter” po marshonin aty pranë. Çifti përballet me akuza penale, përdorim të paligjshëm të armës, në këtë incident.

Melania Trump

Zonja e parë, Melania Trump do të mbajë një fjalim në mbështetje të bashkëshorit të saj të martën, me shumë gjasë nga Shtëpia e Bardhë, ndërsa Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, senatori nga Kentaki Rand Paul dhe dy fëmijët e tjerë të Presidentit Trump, Eric Trump dhe Tiffany Trump, gjithashtu do të flasin në mbështetje të babait të tyre.

Të mërkurën, Nënpresidenti Mike Pence do të mbajë fjalimin në ndërtesën historike Fort McHenry në Baltimore, ku ushtarët amerikanë mbrojtën vendin e ri nga një sulm britanik në vitin 1814, duke frymëzuar shkrimin e himnit kombëtar amerikan "The Star-Banner Spangled".

Në të njejtën natë do të mbajnë fjalime edhe senatorja nga shteti i Tenesisë, Marsha Blackburn, senatorja nga Ajova, Joni Ernst dhe guvernatorja e Dakotës së Jugut, Kristi Noem.

Të enjten, para fjalimit për pranimin zyrtar të emërimit nga Presidenti Trump, do të mbajnë fjalime edhe Sekretari i Departamentit të Strehimit dhe Planifikimit Urban, Ben Carson, Udhëheqësii shumicës në Senat, Mitch McConnell, Udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, Senatori nga Arkansasi, Tom Cotton dhe vajza e presidentit Trump, Ivanka Trump, e cila punon si këshilltare e babait të saj në Shtëpinë e Bardhë.