Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokrate këtë vit është tërësisht virtual, me pjesëmarrës që do të mbajnë fjalime përmes internetit nga zona të ndryshme të vendit. Por një qytet i vogël që rrallë herë tërheq vëmendjen e mediave kombëtare këtë radhë është në qendër të vëmendjes, vendlindja e kandidatit të pritshëm për President, Joe Biden. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Esha Sarai bisedoi me disa banorë të Delauerit mbi vëmendjen që shteti i tyre po tërheq tani.
Your browser doesn’t support HTML5
Delaueri, i njohur si 'Shteti i Parë' pasi ishte i pari që ratifikoi Kushtetutën e Shteteteve të Bashkuara, ka më pak se një milion banorë. Por shumë banorë të tij thonë se janë të entuziazmuar nga vëmendja që ka tërhequr shteti pasi kandidati i pritshëm i demokratëve për president, Joe Biden është kthyer në qytetin e tij të lindjes për kuvendin virtual.
"Delaueri është në qendër të vëmendjes, jo për shkak të pandemisë, por për shkak të zotit Biden dhe zonjës Harris. Ne jemi gati për 2020", tha Jocelyn Hunt, banore e Delauerit.
"Jam lodhur nga njerëzit që mendojnë se jemi shtet i vogël dhe që pyesin a ka njeri që jeton në Delauer? Po, shumë njerëz të arsimuar, njerëz punëtorë banojnë në Delauer. Dhe ne jemi shteti i parë", tha Janice Nelson, një tjetër banore e Delauerit.
Shumë banorë të Delauerit ishin të ngazëllyer kur e panë ish-nënpresidentin në qytetin e tij të lindjes, duke e bërë atë të njohur për pjesën tjetër të vendit.
"Jam i gëzuar që kemi një vendas (që po garon për president), në të kaluarën e kam parë Joe Biden-in te stacioni i trenit, kur ai ishte senator. E shihja atë shpesh edhe në qytet. Ai është mik shumë i mirë me kushëririn tim", tha Jeff Lewis, banor i Delauerit.
Banorët e Delauerit përjetuan të njejtin nivel energjie në vitin 2008, kur Barack Obama zgjodhi senatorin e atëhershëm Joe Biden si kandidat për nënpresident.
"Ne jemi shumë të gëzuar sepse kjo na sjell në mendje kohën kur Presidenti Obama dhe Nënpresidenti Biden për herë të parë ndaluan në Delauer. Dhe tani të kesh mundësinë që së shpejti, të shohim Presidentit Biden në këtë shtet, është shumë emocionuese", tha Melanie Daniels, banore e Delauerit.
Por, duke pasur parasysh se aktivitetet e kuvendit kombëtar të demokratëve do të zhvillohen në internet tërë javën, banorët e Delauerit do t’i ndjekin fjalimet nga shtëpitë e tyre, ashtu si pjesa tjetër e vendit.