Modernizime në transmetimet dhe programet televizive të Koresë së Veriut

Your browser doesn’t support HTML5

Transmetime televizive me rezulucion të lartë, ekrane moderne me grafika shpjeguese, produksione të avancuara… të gjitha këto janë përparime teknologjike që përpiqen të ndryshojë imazhin e Koresë së Veriut në botë. Por këto përparime kozmetike nuk mund të mbulojnë realitetin koreano-verior si vendi më i izoluar dhe me censurën më të rëndë në botë.

Përshtypja e përgjithshme për televizionin koreano-verior në botë janë pamjet e spikeres që lexon lajmet e miratuar nga autoritetet.

Por këto ditë, Koreja e Veriut po provon diçka të re.Un-A, prezantohet si një vajzë e thjeshtë koreano-veriore. Gjatë gjashtë muajve të fundit ajo ka postuar video-klipe në anglisht, duke folur me një ton të qetë gjatë vizitave në pika të ndryshme të Phenianit.

“Siç e shihni, dyqanet janë plot me produkte e artikuj që përmbushin kërkesat e popullit,” thotë ajo gjatë vido-klipit.

Këto video-klipe realizohen për të huajt dhe kanë tërhequr mbi 1.6 milion vizitorë në YouTube.

Ato postohen edhe në “Coldnoodlefan”, një llogari në Twitter që ka edhe linqe për të vizituar faqe të qeverisë koreano-veriore, sipas Colin Zwirko me portalin mediatik NK News në Seul.

“Janë mashtrime. Nuk është thjesht një person që shëtit nëpër Phenian duke folur për gjërat që i pëlqejnë në atdheun e saj,” thotë gazetari.

Zoti Zwirko dhe NK News e kanë ndjekur prej vitesh llogarinë e Twitterit “Coldnoodlefan”.

“Në fund të 2017 dhe fillim të 2018, personi që shkruante në këtë llogari prezantohej si një i varfër që banonte në Japoni. Më pas na doli Julia që ishte nga Rusia”.

Tani ka dalë Un-A. Ajo synon të përmirësojë imazhin e Koresë së Veriut jashtë vendit.

Edhe transmetimet brenda vendit janë modernizuar. Vitet e fundit janë futur transmetimet me rezulucion të lartë, HD… janë modernizuar studiot që tani u përngjajnë disi studiove në vende të tjera.

Duket se ndryshimet janë bërë në përgjigje të konkurrencës nga stacione dhe realizime shumë më të avancuar që transmetohen nga Koreja e Jugut dhe që shpesh futen kontrabandë në Korenë e Veriut.

“Kjo është rezultat i konkurrencës. Duan të rrisin audiencën. Dramat televizive të realizuara në Korenë e Jugut kanë cilësi shumë më të lartë se realizimet e televizionit koreano-verior. Tani shikuesit koreano-veriorë presin cilësi më të lartë,” thotë analisti Martyn Williams.

Por analisti Martyn Williams, i cili ndjek transmetimet televizive shtetërore të Koresë së Veriut, thotë se këto janë thjesht ndryshime kozmetike.

“Përmbajtja nuk ka ndryshuar. Vazhdojnë të njëjtat gjëra të mërzitshme. Lajme për ato që ka bërë sot Kim Jong Un. Kur ai nuk bën asgjë, flitet për vizita që bëri udhëheqësi vjet apo parvjet,” thotë zoti Williams.

Edhe klipet e Un-A nuk kursehen në propagandë. Shpesh censura shtetërore duket qartë.

Një tjetër shembull se megjithë avancimet sipërfaqësore, ndryshime domethënëse në Korenë e Veriut nuk duken ende në horizont.