Në fillim të gushtit, mijëra prindër, arsimtarë, nxënës dhe pjestarë të komunitetit mbushën rrugët në mbi 25 shtete amerikane për të bërë thirrje për shkolla të sigurta dhe të drejta. Protestat, të organizuara si Dita Kombëtare e Rezistencës, u thirrën për të ngritur shqetësime se ndërsa koronavirusi ende vazhdon të përhapet, rihapja e shkollave për kthimin e studentëve nëpër klasa është e rrezikshme. Çështja është bërë politike me shtimin e presionit nga Shtëpia e Bardhë dhe shumë guvernatorë shtetesh për të rihapur klasat. Materiali në vazhdim flet mbi demostratat në qytetin e Nju Jorkut.
Your browser doesn’t support HTML5
Mijëra prindër, arsimtarë, studentë dhe pjestarë të komunitetit marshuan nëpër rrugët e Manhatanit në fillim të gushtit për të kërkuar shkolla të sigurta dhe të barabarta. Joseph Wolf është mësues historie.
“Humbëm një koleg nga koronavirusi në muajin prill. Nuk duam që mësues të tjerë të humbasin jetën këtë shtator. Duam arsimim në distancë për t’i mbajtur të gjithë të sigurtë.”
Në Nju Jork, sikurse shumë shtete, shkollat do të rihapen në bazë të kushteve rajonale. Në qytetin e Nju Jorkut, nxënësit do të shkojnë në klasë deri tre ditë në javë. Bill de Blasio është kryetar i bashkisë së Nju Jorkut.
“Për shumicën e fëmijëve dhe të shkollave, ata do të shkojnë në klasa dy ose tre ditë në javë në varësi të javës. Disa shkolla të tjera do të kenë një dinamikë të jashtëzakonshme dhe mund të diskutojmë edhe rreth kësaj.”
Nëse do të ketë një rast infektimi në shkollë, e gjithë klasa do të vihet në karantinë për dy javë. Nëse do të ketë dy raste pozitive në dy klasa të ndryshme, e gjithë shkolla do të vihet në karantinë.
Por për shumë mësues në protestë, dërgimi i nxënësve dhe arsimtarëve në klasa është i parakohshëm. Ata theksojnë se rreth 1.5 milion arsimtarë, ose një në katër, kanë probleme shëndetësore pararendëse që i bën ata më të rrezikur nëse infektohen me COVID-19. Ronnie Almonte është mësues.
“Shkollat tona janë të mbipopulluara, pa sistemin e duhur të ajrosjes apo mungesa të tjera – dhe ata duan të na dërgojnë në klasa, edhe pse rastet po shtohen në shkallë kombëtare dhe nuk ka asnjë plan dhe shkurtime buxhetore. Në asnjë mënyrë.”
Shkolla ku Lawrence Tenkhin vazhdonte klasën e pesët është mbyllur që nga mesi i marsit. Por ai shpreson të kthehet në shkollë së shpejti. Ai është i informuar për pandeminë por ëndërron të lozë me miqtë e tij dhe të shkojë në klasë dhe jo në bëjë mësimet në internet.
“Më ka marrë malli për miqtë, mësuesit dhe dua të kthehem në klasë.”
Meril Mousoom është nxënëse e klasës së njëmbëdhjetë.
“Kemi një plan sharlatan për rihapjen. Sepse shkollat nuk do të kenë fondet e duhura, burimet e duhura dhe nuk do të studiojmë lëndët që duam apo të kemi mësuesit që nevojiten.”
16 vjeçarja thotë se ajo ndan të njëjtin mendim me shokët e klasës së saj.Kandidatja për kryetare bashkie në qytetin e Nju Jorkut, Dianne Morales, e mbështet këtë pikpamje.
“Kam qënë mësuese, punonjëse e kujdesit social dhe jam prind e dy fëmijëve me program individual arsimimi. Prandaj besoj tek mbështetja për arsimtarët dhe studentët që të mos kthehen në shkollë deri sa shkollat të jenë të sigurta.”
Megjithatë, shkollat në shtetet Xhorxhia, Misisipi dhe shtete të tjera po rihapen pavarësisht shfaqes së disa rasteve me koronavirus tek nxënësit dhe punonjësit e shkollave.