SHBA, mbështetja për Gjykatën e Lartë në nivelin më të lartë në një dekadë

Në një kohë kur degët e tjera të qeverisë amerikane mbeten relativisht jopopullore, mbështetja e publikut për punën e Gjykatës së Lartë është ngritur në nivelin e tij më të lartë në më shumë se një dekadë, sipas një sondazhi të ri të organizatës Gallup.

Sipas sondazhit të publikuar të mërkurën, 58 për qind e amerikanëve mbështesin mënyrën se si Gjykata e Lartë po e bën punën e saj, vlerësimi më i lartë që nga viti 2009.

Mbështetja për punën e gjykatës nëntë anëtarëshe në vitet e fundit ka qenë rreth nivelit 50 për qind. Në vitin 2009 mbështetja për punën e saj arriti në 61 për qind, e nxitur pjesërisht nga emërimi i historik i gjykatëses së parë hispanike, Sonia Sotomayor.

Vlerësimi i lartë i punës së Gjykatës së lartë është në kontrast të madh me atë të pjesës tjetër të qeverisë amerikane. Vetëm 25 për qind e amerikanëve mbështesin punën e Kongresit, sipas një një sondazhi të mëparshëm të organizatës Gallup, ndërsa 38 për qind e tyre thonë se kanë besim të madh në punën e Presidentit.

Lexoni edhe këtë Gallup: 38 për qind e amerikanëve mbështet Presidentin Trump

Gjykata e Lartë është e ndarë në mes të pesë gjyqtarëve konservatorë të emëruar nga presidentët republikanë dhe katër liberalëve të emëruar nga presidentët demokratë, një ndarje ideologjike që ka vazhduar që nga vitet 1970.

Ndërsa vendimet e saj 5-4 për çështje me ndikim të madh politik tërheqin më shumë vëmendje, një numër i madh i vendimeve të saj arrihen me mbështetje unanime.

Sondazhi i fundit, i kryer mes 1 dhe 23 korrikut, u bë pas marrjes së një numri vendimesh, që konsiderohen si ndër më të mëdhat në vitet e fundit.

Lexoni edhe këtë Vendimet e fundit të Gjykatës së Lartë, humbje për Presidentin Trump

Ata hodhën poshtë përpjekjen e administratës së Presidentit Trump për t'i dhënë fund programit të imigracionit për të rinjt DACA (ata që në mosh të mitur u sollën në SHBA nga prindërit e tyre në mënyrë të paligjshme), rrëzuan një ligj kundër abortit në Luiziana dhe zgjeruan mbrojtjet kundër diskriminimit për punonjësit e komunitetit LGBTQ.

Në të njëjtën kohë, gjykata vendosi që shtetet nuk mund të përjashtojnë shkollat fetare nga fondet për arsimim privat, vendosi që mësuesit e shkollave katolike nuk mund të padisin punëdhënësit e tyre për diskriminim dhe mbajti në fuqi një pjesë të ligjit të Kujdesit Shëndetësor të Presidentit Obama mbi përjashtimet për ilaçet për kontrollin e lindjeve.

Lexoni edhe këtë Gjykata e Lartë hedh poshtë përpjekjen për t'i dhënë fund programit DACA

Më 9 korrik, në ditën e fundit të punës së gjykatës për këtë periudhë, gjyqtarët nxorën një sërë vendimesh të përziera lidhur me fletëthirrjet për të dhënat financiare të Presidentit Donald Trump. Ndërsa Gjykata e Lartë vendosi se Presidenti Trump nuk është imun nga fletëthirrjet e një jurie të madhe në Nju Jork, ajo ndali përpjekjet e Kongresit për të marrë të dhënat financiare të biznesit të presidentit dhe familjes së tij.

Gabe Roth, drejtori ekzekutiv i organizatës Fix the Court (Rregulloni Gjykatën), tha se gjatë vlerësimit të punës së Gjykatës së Lartë, amerikanët shpesh "marrin parasysh një ose dy rastet e fundit, dhe bazuar në këtë, vendosin për mbështetjen ose kundërshtimin e tyre (mbi punën e gjykatës)."

Ai shtoi se amerikanët shpesh injorojnë "veprime të panumërta të rëndësishme që mund të jenë anashkaluar nga mediat (nuk kanë qenë pjesë e titujve kryesor të lajmeve)".