Më 21 korrik, Presidenti Trump nënshkroi një memorandum që do të ndalojë llogaritjen e të huajve pa dokumenta në regjistrimin e vitit 2020 që synon shpërndarjen e vendeve të përfaqësuesve në Kongres. Masa, e cila ka të ngjarë të kundërshtohet në gjykatë, është kritikuar tashmë nga ekspertët ligjorë.
Rishikimi i zonave elektorale me qëllim pasqyrimin e ndryshimeve demografike, ndodh çdo 10 vjet në Shtetet e Bashkuara. Caktimi i zonave të ardhshme do të bëhet në vitin 2021, pasi të dalin rezultatet e regjistrimit kombëtar. Në varësi të rezultateve të përditësuara të censusit, 435 vendet e ligjvënësve në Kongres do të rishpërndahen nëpër shtetet amerikane. Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara nuk bën asnjë referencë për përjashtimin e njerëzve bazuar në statusin e tyre të emigracionit. Megjithatë, Presidenti Trump nënshkroi një memorandum që synon të heqë emigrantët pa dokumenta nga përllogaritja në censusin e vitit 2020.
Ekspertët ligjorë besojnë se kjo masë ka shumë të ngjarë të kundërshtohet në gjykatë. Unioni Amerikan i Lirive Civile tashmë e ka përcaktuar memorandumin si jokushtetues.
Në vitin 2019, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara bllokoi përpjekjet e administratës për të përfshirë një pyetje mbi statusin e shtetësisë në regjistrimin kombëtar. Sidoqoftë, ka mënyra të tjera me të cilat administrata mund t'i mbledhë këto informacione.
"Përkundrazi, ajo që po bën qeveria është marrja e të dhënave administrative nga të gjitha llojet e burimeve - patentat, organizatat në nivelin shtetëror, ata po marrin të dhëna nga agjensia e taksave në Shtetet e Bashkuara, duke marrë të dhëna për përfitimet publike nga të cilat përfitojnë njerëzit, për të përcaktuar bazuar në të dhënat administrative, se kush në Shtetet e Bashkuara është shtetas dhe kush jo... Nëse njerëzit kanë frikë të përgjigjen në formularin e censusit, nëse emigrantët, dhe veçanërisht ata të paligjshmit, vendosin të mos i përgjigjen formularit që vjen me postë, kjo do të rezultojë në më pak fonde federale... Një pjesë e madhe e fondeve federale ndahen bazuar në regjistrimin e popullsisë", thotë Julia Gelatt, analiste me Institutin për Politikat e Emigracionit.
Kjo, thonë ekspertët, do të ndikojë në aksesin e banorëve në shërbimet e ofruara nga shteti - nga transporti publik, në ushqimin falas në shkollë, në siguracionet mjekësore për familjet me të ardhura të ulëta.
"Të dekurajosh njerëzit nga plotësimi i formularit të regjistrimit do të ndikojë tek ne të gjithë, jo vetëm tek emigrantët pa dokumenta, por edhe tek komuniteti në tërësi", thotë Helena Olea, drejtore e programeve, Alianza Americas.
Mark Krikorian nga Qendra për Studime të Emigracionit vë në dukje se do të ishte mjaft e vështirë të realizohet ajo që kërkon memorandumi.
"Ne kemi bërë një vlerësim vitin e kaluar se cili do të jetë rezultati në Kongres, nëse nuk do të llogaritnit emigrantët e paligjshëm. Përfundimi ynë ishte se Kalifornia, Teksasi dhe Nju Jorku do të humbnin secili nga një vend, do të kishin pra një vend më pak në Kongres, ndërsa Ohajo, Alabama dhe Minesota do të kishin një vend më shumë. Nëse i shikoni, Nju Jorku dhe Kalifornia janë shtete demokrate, por Teksasi është republikan. Me fjalë të tjera, si shtetet republikane dhe ato demokrate mund të humbin vende", thotë Mark Krikorian, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimet e Emigracionit.
Përgjigjet për censusin janë ende duke u mbledhur. Për momentin, më shumë se 60 përqind e popullsisë së vendit ka marrë pjesë në regjistrimin kombëtar.