Pandemia detyron mbylljen e një prej bareve më të njohura në Uashington

Pandemia e koronavirusit ka ndikuar ndjeshëm tek aktivitetet sociale dhe argëtuese gjatë natës në të gjitha qytetet amerikane, përfshirë Uashingtonin. Por këtë javë një nga baret më të shquara të Distriktit të Kolumbias për mbi 25 vjet mbylli dyert e tij përgjithmonë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jane Bojadzievski ka përgatitur materialin.

Your browser doesn’t support HTML5

Pandemia detyron mbylljen e një prej bareve më të njohura në Uashington

Tani për tani, aktivitetet në klubet e natës, për të takuar njerëz të rinj dhe për të kërcyer janë pezulluar. Por, për një klub ikonë në rrugën 18, ato ditë i përkasin tani të shkuarës.

"Trashëgimia e klubit në rrugën 18-të ishte se shërbeu si strehë për muzikantët dhe DJ. Ata ishin në gjendje të shpreheshin në mënyrë krijuese dhe të interpretonin", thotë Thomas Blondet, që ka qenë DJ në atë klub.

"Është përfundimisht fundi i një epoke, sepse tani shumë muzikantë në D.C dhe DJ nuk kanë ku të luajnë muzikën e tyre. Nuk mund të luajmë askund tjetër. Atje kishim liri krijuese", thotë Thomas.

Klubi në rrugën 18-të ishte një nga më të shquarit për aktivitete argëtuese gjatë natës në Uashington por pronarët e tij kanë frikë se ka ardhur koha për ta mbyllur.

“Kur duhet të jesh 2 metra larg, të jesh me maskë, pa asnjë komunikim me banakierët në klub, pa u argëtuar apo kërcyer, përse të shkosh në klub nate. Nuk ka fare kuptim", thotë Farid Nuri, bashkëthemelues dhe pronar i klubit në rrugën 18-të.

Pas 25 vjetësh punë, jubileu i barit do të festohej në tetor.

“Shprehja është institucionet nuk vdesin, ato evolojnë. Është koha që ne të evolojmë dhe kjo kohë është mjaft e përshtatshme. Sapo arritëm 25 vjetorin, goditi pandemia dhe na përfundon kontrata e qirasë. Është një mundësi për tu larguar në kulmin tonë“, thotë Farid.

Shpresa është se ky klub, që ka qenë një vend grumbullimi për muzikantë, grupe argëtimi, DJ, dhe një vend për shfaqjet e modës, do të kthehet në Uashington, në një formë të re.