Veprimtarë dhe mbështetës të Rezistencës Iraniane, NCRI-së dhe MEK-ut, zhvilluan këtë të premte në mënyrë online Samitin e përvitshëm për Lirinë e Iranit.
Samiti bashkoi mbështetësit e Iranit të lirë nga mbi 100 shtete në 5 kontinente, duke përfshirë edhe Iranin dhe Ashraf 3 në Shqipëri, ku banojnë anëtarët e Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).
Presidentja e zgjedhur e NCRI-së, Maryam Rajavi, paraqiti planin me 10 pika për Iranin e së ardhmes dhe u bëri thirrje të gjitha qeverive dhe komuniteteve ndërkombëtare që të mbështesin popullin iranian në përballjen me rrezikun më të madh për paqen dhe sigurinë në botë.
“Ky samit i jep jehonë zërit të Rezistencës 40-vjeçare të popullit iranian kundër diktaturës e fashizmit fetar dhe përpjekjes për liri e demokraci. Ky samit u jep jehonë thirrjeve për përmbysjen e regjimit klerikal në kryengritjet e njëpasnjëshme nga dhjetori 2017 deri në janar 2020. Ky samit është zëri i Njësive të Rezistencës dhe qyteteve të rebeluara në mbarë Iranin” - tha zonja Rajavi.
Ajo shpjegoi se kryengritjet e viteve të fundit vërtetuan se teokracia në pushtet mund të përmbyset dhe rezistenca iraniane e njësitë e rezistencës të MEK kanë rol kryesor.
“Populli ynë duhet të gëzojë të drejtën për të patur shëndet, për të patur strehim, punë, organizim dhe sindikata, autonominë e minoriteteve etnike, të drejtën për pjesëmarrje të barabartë në menaxhimin e punëve të shoqërisë, barazinë gjinore, dhe sovranitetin popullor. Rezoluta e miratuar kohët e fundit nga shumica në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA ofron një model të besueshëm që mund ta ndjekin të gjitha qeveritë dhe komuniteti ndërkombëtar për sa i përket Iranit dhe popullit iranian” - tha zonja Rajavi.
Afro një mijë politikanë dhe parlamentarë të spikatur nga pesë kontinente morën pjesë në këtë tubim në mbështetje të popullit iranian për liri.
Mes folësve ishin Rudy Giuliani, Senatori Joe Lieberman, ish Ministra të Jashtëm të Francës, Italisë, Kanadasë, dhe Polonisë dhe përfaqësues nga parlamentet europiane, gjermane, franceze dhe italiane.
Ish kryeministri shqiptar dhe ministri i diasporës, Pandeli Majko, tha në Samit se merrte pjesë aty si shqiptar dhe si mik.
“Dua t’i them Kampit Ashraf në Shqipëri: ju jeni pjesë e familjes sonë. Ju jeni në besën tonë. Muxhahedinët janë flamuri i së ardhmes së lirisë në vendin e tyre” - tha zoti Majko.
Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha tha në fjalën e tij se në qeverisje apo në opozitë shqiptarët mbështesin objektivin e popullit iranian për një republikë demokratike, laike, dhe jo-bërthamore të Iranit.
“Qëndrojmë fuqishëm kundër regjimit iranian, nëse ai vazhdon t’i rikthehet praktikave të paligjshme e terroriste në tokën tonë dhe të vazhdojë me eksportimin e fondamentalizmit në Shqipëri e në rajonin tonë” - tha zoti Basha.
Samiti lidhi bashkë tubime të njëkohshme në qytete madhore të Europës, në Shtetet e Bashkuara, Shqipëri dhe Australi me mbi 30 mijë lidhjeje online në mbështetje të një Irani të lirë.
Afro një mijë personalitete politike, kulturore dhe fetare, morën pjesë në tubim dhe mbështetën thirrjen e popullit iranian për përmbysjen e diktaturës fetare në vendin e tyre.