Gjykata e Lartë u heq të drejtën e apelimit azilkërkuesve

Me 7 vota pro dhe 2 kundër, Gjykata e Lartë vendosi më 25 qershor se azil-kërkuesit, të cilëve u është mohuar aplikimi për status nga zyrtarët e imigracionit, nuk kanë të drejtë ta apelojnë vendimin në gjykatë federale. Ky vendim hap rrugën që autoritetet federale të kryejnë deportimin e një numri azilkërkuesish.

Gjykata e Lartë mori në shqyrtim ankesën e një azilkërkuesi nga Sri Lanka, të quajtur Vijayakumar Thuraissigiam.

Ai u tregoi zyrtarëve të imigracionit se ishte rrëmbyer, marrë në pyetje, rrahur aq rëndë sa që ishte shtruar në spital për ditë të tëra. Ai ishte larguar nga Sri Lanka dhe më në fund kishte kaluar kufirin nga Meksika në Shtetet e Bashkuara ku kishte kërkuar azil.

Zyrtarët e imigracionit e mohuan kërkesën e tij për azil dhe më pas i mohuan të drejtën për ta apeluar çështjen në një gjykatë më të lartë.

Avokatët e tij e apeluan çështjen deri në Gjykatën e Lartë:

Kushtetuta thotë që ankimimin tonë ta paraqesim në gjykatë federale. Gjykata e Distriktit të 9-të tha po. Gjykata e Lartë tha jo,” thotë avokatja e tij, Emma Winger.

Kur e mohuan kërkesën, anëtarët e Gjykatës së Lartë cituan nga një ligj që thotë se nëse një person kërkon azil politik, ai ka të drejtën të intervistohet nga një zyrtar i imigracionit, ose nga një gjykatës që mund të marrin një vendim pa vonesë mbi këtë çështje.

Zoti Thuraissigiam thotë se intervista e tij zgjati 13 minuta dhe se gjykatësi i imigracionit nuk e kishte pranuar kërkesën dhe se ishte caktuar një datë për deportimin e tij.

Unioni Amerikan për Të Drejta Civile u përfshi në çështje me argumentin se deportimet e shpejtuara kufizojnë të drejtat e aplikantëve për një gjykim të drejtë, të garantuar nga Kushtetuta.

Një gjykatës administrativ i bëri një rishikim të shpejtë. Nganjëherë një proces i tillë zgjaste vetëm 10 minuta, pa e kaluar procesin në një seancë gjykate. Mendoj se aktualisht kemi një realitet ku azil-kërkuesit kthehen pa të drejtë në vende ku mund të përndiqen apo të dënohen me vdekje,” thotë juristi i Unionit Amerikan për të Drejta Civile, Lee Gelernt.

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Samuel Alito theksoi se immigrantët pa dokumente të ndaluar pranë kufirit nuk kanë të drejtën të paraqiten në gjykatë. Ai shtoi se ligji i miratuar nga Kongresi u ofronte mundësinë për shikimin e çështjes.

Duket qartë përshtypja që ai ka se azil-kërkuesit po abuzojnë procesin. Për shembull, ai argumenton se në 2019 vetëm një përqindje e vogël njerëzish që fituan status azilanti, rezultuan se kishin arsye reale për frikë nga përndjekja. Ai e prezanton këtë si provë se systemi po manipulohet,” thotë juristja Winger.

Dy anëtarë të Gjykatës së Lartë shprehën kundështim, duke thënë se nuk mendojnë që të drejtat kushtetuese duhet të varen nga ndryshimet në klimën politike në SHBA. Ekspertët thonë se vendimi do të krijojë një pararendës ligjor për mijëra azil-kërkues të tjerë që vijnë në SHBA.

Si rezultat i vendimit, nuk do të ketë mbikqyrje gjyqësore mbi këtë proces të përshpejtuar, pra do t’u lihet gjykimi në dorë zyrtarëve të imigracionit. Ky sistem lë shteg për abuzime dhe gabime, pasi është i përshpejtuar,” thotë juristja Winger.

Zyrtari i Departamentit të Drejtësisë Edwin Kneedler, që përfaqësoi argumentet e administrates Trump para Gjykatës së Lartë, u shpreh se nëse gjykata do të kishte marrë tjetër vendim, do të kishte krijuar shtim të kërkesave për azil. Po ashtu, sipas zotit Kneedler, do t’u kishte dhënë të drejtën imigrantëve të paligjshëm ta apelonin vendimin e zyrtarëve të imigracionit në gjykatë federale.