Në Kosovë të shtunën u raportua vdekja e tre përsonave nga nga pasojat e COVID-19, duke e çuar në 6 numrin e viktimave në dy ditët e fundit.
Në një njoftim të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës thuhet se, “dy prej viktimave të raportuara të shtunën janë nga Prizreni, ndërsa një nga komuna e Suharekës".
Rastet e fundit e çuan në 47 numrin e atyre që kanë vdekur nga pasojat e COVID-19-të në Kosovë.
Aktualisht në Klinikën Infektive të Kosovës janë të shtruar 97 persona me Covid -19 pozitiv, 45 prej të cilëve janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi, ndërsa pesë raste janë nën kujdesin intensiv.
Që nga heqja e kufizimeve në fillim të këtij muaji është regjistruar shtim i madh i numrit të të infektuarve dhe deri tani koronavirusi ka prekur 2 mijë e 494 veta.
Autoritetet po bëjnë thirrje për zbatimin e masave mbrojtëse siç është mbajtja e maskave dhe distancimi fizik për të parandaluar zgjerimin e infektimeve.