Një votim i rëndësishëm për avancimin e legjislacionit për një reformë të madhe në polici dështoi të mërkuren në senat, pasi demokratët e Kongresit bllokuan debatin mbi një propozim republikan që ata thanë se ishte i "mangët".
Ligjvënësit amerikanë kanë punuar me vrull për të hartuar një legjislacion që do të trajtonte kërkesat e dëgjuara në protestat disa javore mbarëkombëtare në përgjigje të vdekjes nën arrest më 25 maj të afrikano-amerikanit George Floyd. Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë demokrate pritej të votonte më vonë këtë javë për projekt-ligjin Akti për Drejtësi në Polici, por përpjekjet për të miratuar propozimin nga senatori i vetëm afrikano-amerikan nga radhët e republikanëve, Tim Scott, duket se kanë ngecur.
Demokratët bllokuan lëvizjen procedurale për të çuar përpara projektligjin republikan, në një proces që do të lejonte fillimin e debatit mbi projektligjin me një votim prej 55-45.
Udhëheqësi i pakicës në senati, Chuck Schumer tha të mërkurën në pak përpara votimit në senat se demokratët nuk do të mund të shpëtonin projektligjin.
"Fakti është se projektligji ka mangësi të mëdha, të papërmirësueshme, thelbësore dhe të paqëndrueshme, dhe nuk mund të shërbejë si një pikënisje e dobishme për një reformë të mirëfilltë", tha ai. Nëse do të kishin votuar për ta çuar përpara debatin mbi projektligjin, demokratët do të kishin mundësinë të ofronin amandamente për përmirësimin e tij.
Në një letër të martën drejtuar senatorëve republikanë, Schumer dhe senatorët e tjerë demomkratë parashtruan pesë pika shqetësimi për legjislacionin.
Demokratët thanë se ata kundërshtonin dështimet e projektligjit për të vendosur masa përgjegjësie dhe transparence në departamentet e policisë, për të trajtuar sa duhet mbledhjen e të dhënave për policinë dhe krijimin e një standardi kombëtar për përdorimin e forcës. Në letër, demokratët gjithashtu theksuan se akti i drejtësisë "nuk bën asgjë për t'i dhënë fund praktikave të dëmshme të policisë, si profilizimi racor dhe fetar, fletë-arrestet pa trokitje në derë në rastet e drogës dhe përdorimi i teknikave të ngulfatjes".
Fletë-arresti pa trokitje në derë ishte një faktor në vdekjen e 27-vjeçares Breonna Taylor në fillim të këtij viti, ndërsa përdorimi i teknikës së ngulfatjes nga policia u bë objekt kritikash pasi u përdor nga policët që ndaluan afrikano-amerikanin George Floyd.
Thirrjet për ndryshime të projektligjit
Senatori Tim Scott tha se shqetësimet e demokratëve për legjislacionin mund të ishin trajtuar pas avancimit të projektligjit në fazën e debatit.
"Përgjigja ime ishte e thjeshtë," tha senatori Scott gjatë diskutimit në senat në momentet para votimit. "Le të kemi pesë ndryshime për ato gjëra. Nëse mund të marrim votat në të dyja dhomat e Kongresit, ne duhet t’i përfshijmë ato në legjislacion. Unë jam takuar me senatorë të krahut tjetër (demokratë), të cilët thanë se janë pesë gjëra për të cilat ata duhet të bisedojnë. Kështu që unë thashë le të përfshijmë me nga një amandament për secilën çështje."
Udhëheqësi i shumicës në senat, Mitch McConnell e quajti propozimin e senatorit Scott "një plan të drejtpërdrejtë bazuar në fakte, të dhëna dhe përvojë reale. Ai përqendrohet në përmirësimin e përgjegjshmërisë dhe rikthimin e besimit. Ai trajton çështjet kryesore si teknikat e ngulfatjes dhe fletë-arrestimet pa trokitje në derë. Ai zgjeron raportimin, dhe transparencën në punësim, dhe trajnime për uljen e tensioneve."
Propozimet e demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve për projektligjin përfshijnë kushtëzimin e fondeve federale me inkurajimin për çmilitarizim të forcave të policisë, dhe dhënien fund të doktrinës ligjore që mbron oficerët e policisë nga ndjekjet penale civile për veprimet e tyre. Dhënia fund e doktrinës së ashtuquajtur "imuniteti i kualifikuar" tashmë është konsideruar nga Shtëpia e Bardhë si "një pikënisje e papranueshme".
Komentet e ligjvënëses Nancy Pelosi
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka sinjalizuar më parë se ajo ishte e hapur për një proces pajtimi për propozimet e Senatit dhe ato Dhomës së Përfaqësuesve, por ajo nxiti kritika nga republikanët për komentet që bëri në një intervistë me radiostacionin CBS Radio të martën.
"Në mënyrë që diçka të ndodhë, ata do të duhet të përballen me realitetin e brutalitetit policor, realitetin e nevojës për drejtësi në polici dhe duhet ta pranojnë se ka shumë njerëz të mirë në mesin e forcave të zbatimit të ligjit, por jo të gjithë janë të mirë dhe këto shqetësime duhet të trajtohen”, tha Pelosi. "Deri më tani, ata kanë bërë përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për vrasjen. Vrasjen e George Floydit."
McConnell e quajti retorikën rreth projektligjit një "dokërr politike të ngritur në një formë arti". Duke folur për komentet e zonjës Pelosi, të mërkurën në senat, ai tha: "dy javë më parë, aludohej se Senati do të kishte gjak në duart tyre nëse ne nuk do të shqyrtonte çështjen e reformës në polici. Tani, demokratët thonë se senatori Scott dhe 48 senatorë të tjerë kanë gjak në duart tyre sepse po përpiqen të trajtojnë reformën e policisë ".
Pelosi tha të mërkurën se ajo nuk do të kërkonte falje për komentet e saj.
Demokratët e Senatit kishin bërë thirrje që McConnell ta hidhte për votim në senat legjislacionin për reformën në polici përpara se ligjvënësit të largoheshin nga qyteti për një pushim dy-javor për Ditën e Pavarësisë (që është më 4 korrik). Ligjvënësit nuk do të kenë shumë kohë për të arritur një marrëveshje për legjislacionin. Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve do të jenë në sesion vetëm për disa javë në korrik përpara se të fillojnë pushimin tradicional të verës që zgjat deri në javën e parë të shtatorit.
Shanset për të miratuar një ligj ambicioz për këtë temë të debatueshme do të jenë shumë të vogla pasi në vjeshtë ligjvënësit do të zhvendosin vëmendjen e tyre në garat për rizgjedhje dhe në zgjedhjet presidenciale.