Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posacëm i presidentit Trump për bisedimet Kosovë- Serbi, tha se u informua nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi se e ka pezulluar udhëtimin për në Washington, pas publikimit të akuzës nga Prokuroria e posaçme për Kosovën.
"E respektoj vendimin e tij që të mos marr pjesë në diskutime derisa nuk zgjidhen çështjet juridike", shkroi zoti Grenell.
Ai tha se po pret diskutimet e së shtunës të drejtuara nga presidenti (Aleksandër) Vuçiç dhe kryeministri (Avdullah) Hoti.
Ndërkaq edhe zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi konfirmoi ndërprerjen e udhëtimit "pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës".
Më herët gjatë ditës zyra e Prokurorit të Posaçëm në Hagë, njoftoi se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.
Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara; shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Aktakuzat i janë dërguat gjykatës speciale për t'u shqyrtuar.