Një 80 vjeçar humbi jetën të shtunën nga pasojat e koronavirusit duke e çuar në 35 numrin e përgjithshëm të atyre që kanë vdekur nga pasojat e COVID-19-të në Kosovë, i cili deri sot ka prekur 1 mijë e 998 veta.
Vetëm nga dita e hënë e deri të premten mbrëma janë konfirmuar mbi 500 raste të reja. Prishtina vazhdon të ketë numër të lartë të të prekurve. Dy javët e fundit shënuan rritje të rasteve të reja njëkohësisht me heqjen e kufizimeve, tha ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
“Me marrjen e mandatit po ballafaqohemi me rritje të numrit të të prekurve me COVID-19, që është rezultat apo edhe pasojë e lirimit të masave duke qenë që treni i rasteve me Covid-19 në fillim të qershorit kur mora detyrën e ministrit ishte në rënie dhe kjo konfirmohej nga raportet ditore nga Instituti Kombëtar më 8 qershor”, tha ai.
Infektologu, Valbon Krasniqi, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se në Klinikën Infektive janë shtruar 73 të sëmurë.
“Gjendja është rënduar jashtëzakonisht shumë këto dy javët e fundit. Nga këta 73 pacientë kemi 28 me gjendje më të rënduar me oksigjenoterapi nëpër reparte dhe përveç kësaj kemi edhe 5 pacientë tjerë në repartin intensiv të klinikës tonë e tre prej tyre janë në gjendje kritike”, tha ai.
Infektologu Krasniqi thotë se situata aktuale po kërcënon seriozisht shëndetin publik sepse virusi tashmë është përhapur në të gjitha institucionet dhe bizneset.
“Një fenomen tjetër që po vërehet dhe për të cilin kemi ngritur shqetësimin ne si klinicistë është edhe mos kufizimi i lëvizjes së personave që janë të diagnostifikuar si covid pozitiv dhe anëtarëve të familjeve të tyre ose që njihen si persona të kontaktit të ngushtë. Pra duhet në mënyrë urgjente që personat covid pozitiv, tani ne kemi rreth 1 mijë raste aktive në nivel vendi pra janë afër 1 mijë pacientë covid pozitiv me simptome të lehta ose të moderuara të cilët janë nëpër shtëpitë e tyre dhe sigurisht shumë të tjerë kontakte të ngushta që potencialisht mund të jenë pozitiv dhe ata ju bëj thirrje që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të mos dalin deri sa të dalin negativ në strishen e fytit”, tha ai.
Infektologët u kanë bërë thirrje institucioneve të shtojnë kapacitetet vëzhguese për zbatimin e masave mbrojtëse dhe mbikëqyrjen e lëvizjeve të personave të prekur me covid dhe kontaktet e ngushta të tyre.