Tiranë: Mblidhet Këshilli Kombëtar i Integrimit

Në Tiranë u mbajt sot një mbledhje e Këshillit të Integrimit Europian, ku u diskutua një plan veprimi për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Your browser doesn’t support HTML5

Tiranë, mblidhet Këshilli Kombëtar i Integrimit

Në të morën pjesë autoritetet më të larta shtetërore dhe u shqyrtuan detyrimet e secilit institucion në këtë proces.

Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian u mblodh sot për herë të parë pas vendimit të Këshillit Europian të 25 marsit dhe Samitit virtual të Zagrebit më 6 maj, nga u përcollën vlerësime maksimale Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të BE, për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, tha se negociatat duhet të ecin paralelisht në gjithë sektorët si në qeverisjen qendrore edhe në atë vendore.

Presidenti Ilir Meta tha se integrimi në BE kërkon sjellje europiane, dialog e bashkëpunim, por mbi të gjitha plotësimin e vërtetë të kushteve, që kanë ardhur në rritje.

“Jemi të gjithë të paralajmëruar nga metodologjia e re e Bashkimit Europian, që thekson se aty ku përparimi nuk është i vërtetë do të ketë ndëshkim, deri në kthim prapa të procesit të integrimit dhe arritjeve të deritanishme. Kjo do të ishte fatale për ne, veçanërisht duke kujtuar që në nisje të këtij procesi ishim në një korsi me Kroacinë, sot vend anëtar i BE, dhe shumë më përpara Malit të Zi. Ndaj besoj se jemi ende në kohë për të reflektuar, duke nisur me heqjen dorë nga politika e vendosjes përpara faktit të kryer, e cila e minon dialogun, bashkëpunimin dhe besimin ndërmjet palëve” - tha zoti Meta.

Kryeministri Edi Rama, tha se qeveria ka përparuar në rrugën e integrimit, e mes të tjerash, ka rezultate në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

Në tryezë morën pjesë përfaqësues nga institute studimore, që kritikuan planin e veprimit për shpërfilljen e shoqërisë civile.

Gjergj Vurmo, përfaqësues i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim tha se plan veprimi nuk ka një fokusim të qartë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Komisioni Europian pritet të publikojë sot kornizën e punës për ecurinë e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Progres Raporti për këtë vit pritet të dalë në shtator dhe deri në konferencën e parë ndërqeveritare Shqipëria duhet të plotësojë një seri prej 15 kushtesh.