Ministria e Shëndetësisë e Kosovës përfshiu në listën esenciale të barnave që blihen nga shteti për personat diabetikë, një lloj të insulinës që mjekët nuk ua rekomanduan pacientëve. Tani këtij ilaçi të mbetur në depo pothuajse i paprekur po i skadon afati i përdorimit. Më shumë hollësi sjell korrespondentja e Zërit të Amerikës Serbeze Haxhiaj.
Isuf Klinaku nga Obiliqi është një nga pacientët e paktë me diabet në Kosovë, që u bë objekt testimi i një lloj insuline të quajtur gensulinë biosemilare e që,sipas tij, për pak i kushtoi me jetë.
Ky ndërrim terapie iu rekomandua atij para gati dy vjetësh, si zëvendësim për insulinës humane që ai e përdorte deri atëherë. Por terapia e re nuk funksionoi dhe ai përfundoi në spital.
“Unë marr insulinë prej 18 vitesh dhe ishte hera e parë në atë kohë kur e mora këtë insulinë që nuk pati asnjë efekt, edhe pse kam marrë njësi më shumë”, tha zoti Klinaku.
Në vitin 2016, Ministria e Shëndetësisë, për herë të parë përfshiu llojin e insulinës të quajtur gensulinë në listën e barnave esenciale që blihen nga shteti për pacientët me diabet.
Për furnizim me këtë produkt u nënshkrua një kontratë prej 1.8 milionë eurosh me kompaninë“Exclusive Pharma”, përfaqësues i prodhuesit farmaceutik polak “Bioton”.
Por pas 4 vjetësh, insulina e blerë ka mbetur pothuaj e paprekur në barnatoret publike dhe në depon e Ministrisë së Shëndetësisë, dhe në fund të muajit skadon afati i shumicës së stokut, sepse mjekët nuk ua rekomanduan pacientëve. Një sasi tjetër e vogël ka afat vetëm edhe tre muaj.
Refuzimi i mjekëve për ta rekomanduar këtë ilaç është mbështetur më tepër në anën teknike, duke argumentuar se është i papërshtatshëm për përdorim.
Shaban Osmanaj, ushtrues detyre i kryeinspektorit farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, i tha Zërit të Amerikës se ilaçi u ble në mënyrë të rregullt dhe i plotëson kriteret për përdorim, por mjekët nuk po e preferojnë.
“Është ngritur ky shqetësim nga Ministria e Shëndetësisë dhe janë mbajtur dy –tri takime me mjekët profesionistë ku ata e kanë mbrojtur qëndrimin e tyre, ndërsa ministria ka thënë se nëse kjo lloj insuline është e dëmshme për shëndetin na jepni të dhëna. Nga Inspektorati Shëndetësor dhe nga Inspektorati Farmaceutik nuk kemi asnjë lloj ankese lidhur me këtë produkt”.
Ndryshimi në listën e barnave e detyroi Ministrinë e Shëndetësisë të rrisë furnizimin me insulinën tjetër të tipit analog, duke rritur njëkohësisht edhe shpenzimet me gati 5 milionë euro shtesë.
Venera Berisha-Muharremi, drejtoreshë e Klinikës së Endokrinologjisë në qendrën kryesore spitalore të vendit, shpjegon se produktin nuk mund ta rekomandojnë për faktin që nuk është në listën e Agjencisë Mjekësore Evropiane (EMA).
“EMA është ajo që aprovon medikamentet biosemilare për bashkësinë evropiane dhe produkti kalon nëpër disa faza të testimit klinik. Po ashtu, nga pacientët na kanë ardhur ankesa për anën teknike. Kanë qenë disa gjëra teknike më të papërshtatshme që kanë vështirësuar menaxhimin e sëmundjes së tyre”.
Nga ana tjetër Ardian Rugova, ushtrues detyre i shefit të Agjencisë për Produkte Mjekësore, thotë se edhe me legjislacionin e BE-së ky produkt i përmbush normat për regjistrim dhe përdorim.
“Një produkt që është regjistruar para vitit 2004 nuk ka nevojë të figurojë në EMA ligjërisht. Është çështje e ligjeve kur kanë hyrë në fuqi dhe kur të obligojnë”.
Në vitin 2017, Ministria e Shëndetësisë e dërgoi këtë produkt për testim në një laborator në Kroaci, dhe pavarësisht se ai rezultoi në parametra të rregullt, ministria nuk arriti t’i bindë mjekët që ta përdorin këtë medikament për pacientët me diabet.
Tani, sipas Osmanajt, është pothuajse vonë për këtë produkt.
“Jemi para afatit të skadimit".
Në komisionin vlerësues të Ministrisë së Shëndetësisë për këtë tender ishte një mjek i përgjithshëm dhe jo endokrinolog.
Sipas një raporti të auditimit të brendshëm të Ministrisë së Shëndetësisë në dhjetor 2019, mungesa e koordinimit me profesionistët shëndetësorë shkaktoi humbje në buxhetin e shtetit, luhatje të besimit të qytetarëve dhe furnizim të paqëndrueshëm të pacientëve.
Raporti i auditimit të brendshëm i Ministrisë së Shëndetësisë dhe dokumentacioni për blerjet e insulinave gjithashtu flasin për probleme në vlerësimin e kërkesave, në përzgjedhjen e kompanive dhe blerje që tejkalojnë nevojat reale.
Burim Shkodra, drejtor i kompanisë “Exclusive Pharama”, përfaqësues i prodhuesit farmaceutik polak që shiti gensulinën, thotë se ka nisur një betejë ligjore për dëmtim biznesi duke i akuzuar mjekët se e bojkotuan qëllimshëm këtë produkt.
“Produkti është i regjistruar në mënyrë të rregullt në Agjencinë për Produkte Mjekësore, ka certifikatën e cilësisë dhe analizën që e ka bërë vetë Ministria në Kroaci. Nuk e di çfarë argumentesh të tjera nevojiten në gjykatë nëse je i rregullt me dokumentacion”.
Megjithatë, endokrinologia Berisha – Muharremi thotë se refuzimi i ilaçit është bërë për të mbrojtur sigurinë e pacientit.
“Në fund të fundit,është mjeku ai që duhet ta gjykojë se cila insulinë është më e mirë për pacientin, dhe mos-siguria ka bërë diçka të tillë dhe jo ndonjë barrikadim apo diçka tjetër”.
Ministria e Shëndetësisë argumenton se pavarësisht mospërdorimit të këtij medikamenti nuk pati kurrë informatë zyrtare nga endokrinologët për efektet e këtij produkti apo dyshime për cilësinë e tij, për të diskutuar mundësinë e përdorimit apo tërheqjes së tij nga Lista esenciale.
Por pacienti Isuf Klinaku thotë se përveç efektit, kjo lloj insuline ishte edhe më e vështirë për ta përdorur.
“Edhe teknikisht nuk ka qenë e përshtatshme, kur e ke përdorur zakonisht ka dështuar”.
Sidoqoftë, 1.8 milionë eurot për ilaçin që nuk u përdor nuk janë shpenzimet e vetme që humbi Ministria e Shëndetësisë. Kreu i Inspektoratit Farmaceutik, Osmanaj, thotë se tani nevojiten edhe të paktën 250 mijë euro të tjera për ta asgjësuar sasinë e barnave që nuk u shfrytëzuan e që për pak ditë u skadon afati i përdorimit.