Media sociale ekspozon racizmin në SHBA

Videoja e një polici të bardhë amerikan që i kishte vënë gjurin në qafë një afrikano-amerikani, i cili vdiq gjatë arrestit, u përhap me shpejtësi përmes medias sociale. Videoja u bë symbol i reagimit të ashpër të forcave të rendit kundër popullatës me ngjyrë. Vështirë që një akt i tillë do të kishte tërhequr kaq vëmendje nëse videoja nuk do të ishte parë nga një numër i madh përdoruesish të medias sociale. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jesusemen Oni njofton:

Your browser doesn’t support HTML5

Media sociale ekspozon racizmin në SHBA

Nga mbarë vendi erdhën thirrjet për drejtësi pas përhapjes së një numër videosh me pamje nga përballja mes individëve të bardhë me afrikano-amerikanë. Kohët e fundit dy incidente të tilla patën përfundim fatal.

“A duhet të jetë e pranueshme që afrikano-amerikanët të ngacmohen, sulmohen me fjalë thjesht se po bëjnë akte normale? Duhet të pyesim veten përse askush nuk e beson personin me ngjyrë kur tregon si rrodhën ngjarjet. Përse duhet që ta shohësh në video që njerëzit të fillojnë ta kuptojnë e ta marrin seriozisht faktin se policët përdorin forcë të tepruar kundër afrikano-amerikanëve. Ky është momenti që të gjithë të ndalemi e të reflektojmë,” thotë Andra Gillespie e Universitetit Emory.

Incidente nga më të ndryshmet që nga forcë e tepruar policore, deri tek një konflikt mes një gruaje të bardhë e një burri afrikano-amerikan, apo tek videoja e vrasjes së një afrikano-amerikani kur kishte dalë për vrap në një lagje të Xhorxhias.

Në Mineapolis, videoja u xhirua nga kalimtarë që kapën momentin kur një polic mban të mbërthyer me gjurin tek qafa e një personi me ngjyrë për pesë minuta radhazi, ndërsa ai lutet se nuk merr dot frymë. 46-vjeçari, George Floyd, vdiq më pas.

Tiffany Cofield, një shoqe e tij e ngushtë, shpreh mirënjohje për atë që regjistroi videon:

“Do të ishte fshirë nën rrogoz, policia do të kishte thënë se ai po sillej në mënyrë agresive, se ishte një afrikano-amerikan i dalë jashtë kontrollit. E kam njohur prej kohësh, ai nuk ishte i tillë”.

Kjo video e marrë me celular në shkurt kapi reagimin e dy personave të bardhë, babë e bir që ndjekin nga pas Ahmaud Arbery, një afrikano-amerikan që kishte dalë për vrap por ata mendojnë se mund të jetë grabitës.

Ahmaud Arbery shihet duke u rrëzuar përtokë pasi qëllohet me armë. Babë e bir janë tani në burg.

Dhe një video nga parku qendror në Nju Jork. Asgjë e dhunshme nuk ndodh, por shihet një vajzë e re e bardhë që thërret policinë për të paditur një burrë afrikano-amerikan se po i kërcënon jetën.

Pak më parë burri i kishte kërkuar asaj të lidhte qenin në bazë të rregullave të parkut. Gruaja reagon duke thirrur policinë:

“Po më kërcënon një burrë afrikano-amerikan në park. Ju lutem dërgoni menjëherë policët,” thotë gruaja duke i telefonuar policisë.

Të gjithë incidentet, sidomos ata që përfunduan me vrasje, kanë rindezur debatet për racën, dhunën dhe metodat policore në këtë shoqëri, ndërkohë që videot e përhapura përmes medias sociale rezultojnë në protesta masive.

Vdekja e George Floyd është dënuar nga figura të njohura, politikanë dhe organizata të forcave të rendit, që kur u shfaq videoja në median sociale.

“Ideja se ka individë që marrin rolin e gazetarit të rastit, edhe nëse nuk ka kamera të montuara në uniformën e policit, apo kamerat e sigurisë që ndodhen në skenën e ngjarjes, të gjitha këto ndihmojnë për të zbuluar rrethanat e vërteta dhe për të vënë në vend drejtësisë,” thotë zonja Gillespie e Universitetit Emory.

Ndërkohë që vazhdojnë thirrjet për ngritjen e akuzave ndaj katër policëve të përfshirë në rastin e George Floyd në Mineapolis, në rrugë vazhdojnë protestat dhe celularët presin gati për të kapur çdo incident.