Shembja e Teatrit Kombëtar ishte sot temë e një interpelance të kryeministrit Edi Rama me deputetë të opozitës.
Deputetja Rudina Hajdari tha se ndërtesa historike e Teatrit Kombëtar ishte një vlerë e madhe e trashëgimisë, por trualli I saj u vu në shënjestër të grupeve që ndërtojnë kulla në kryeqytet, ndaj e shembën, duke rrezikuar jetën e artistëve, që e ruanin dhe protestuan paqësisht ndërtesën prej më shumë se 2 vjetësh.
Your browser doesn’t support HTML5
“Keni shkuar atje në orën 4.30 të mëngjesit dhe në atë ndërtesë ka patur njerëz. Në momentin që ai Teatër është shkatërruar ka patur njerëz në atë godinë, ka patur njerëz mbi atë godinë dhe ju prapë e keni shkatërruar, duke bërë kështu një tentativë për vrasje.
Ndërsa kryeministri Edi Rama e ndërtoi fjalën e tij me thënie të artistëve shqiptarë për të ilustruar me shprehjet e tyre nevojën që ka kryeqyteti për një teatër të ri dhe gjendjen e rënduar të ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar.
“Unë i kam mbaruar fjalët e mia për Teatrin. Nuk kam asgjë për të thënë. Këtu do të shfrytëzoj këto 20 minuta për të lexuar fjalët e atyre që e kanë bërë Teatrin, e atyre që janë Teatri, e atyre që e nisën protestën për Teatrin” - tha zoti Rama.
Partia Demokratike e opozitës publikoi sot një dokument, ku kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj njofton qeverinë se “sipas projektit paraprak, teatri i ri kushton rreth 30 milionë euro dhe se Banka Europiane e Investimeve ka shprehur gadishmërinë për financuar projektin e Teatrit të ri me kushte financiare shumë të favorshme”.
Opozita kërkoi që kryeministri Rama dhe krybashkiaku Veliaj duhet të hetohen, sepse po marrin borxhe të reja në dëm të qytetarëve.
“Ata duan të marrin borxhe, ndërsa vendi është në krizën e thellë ekonomike. Prishin çdo memorie historike, rrisin taksat dhe ato i vjedhin, varfërojnë shqiptarët dhe i zhysin në borxhe, që do t’i paguajnë po qytetarët. Duan të marrin 30 mln euro të tjera borxh në mes të varfërisë dhe papunësisë vetëm që Rama të kënaqë egon e tij dhe “Fusha” të ndërtojë kullat e radhës” - tha Jorida Tabaku, një përfaqësuese e Partisë Demokratike. Ajo shtoi se autoritetet po veprojnë pa leje, pa rregulla, pa fonde, në shkelje të Kushtetutës, me sy e mendje të errësuar për të pasur miliona euro dhe kullat në qendër të kryeqytetit me çdo mënyrë.
Një numër i madh trupash policore ndërhynë me forcë në mjediset e Teatrit Kombëtar për të larguar artistët dhe qytetarët që e mbronin paqësisht me praninë e tyre prej më shumë se dy vjetësh ndërtesën historike të Teatrit, me shpresën për të frenuar planet që aty të ndërtoheshin kulla shumëkatëshe nga kompani private.
Menjëherë pas policëve, ndërtesën e goditën mjetet e rënda të bashkisë, duke hedhur rrafsh me tokën, objektin që sipas organizatës “Europa Nostra” dhe shumë personaliteteve shqiptare ishte një nga simbolet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore kombëtare.