Masat që pasuan përhapjen e pandemisë së koronavirusit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut, shkaktuan probleme financiare për shumë familje e biznese. Për të ndihmuar sadopak njerëzit në nevojë, Këshilli Shqiptaro-Amerikan, një organizatë me qendër në Nju Xhersi, për më shumë se dy muaj po dërgon atje pako me ushqime për qindra familje. Kolegu Burim Goxhuli bisedoi me kryetarin e Këshillit Shqiptaro-Amerikan Haxhi Dauti, i cili thotë se aksioni për ndihmat e ka bërë të kuptojë se sa e rëndë është gjendja ekonomike në vendlindje.
Your browser doesn’t support HTML5
Po sigurohet se ndihmat e dërguara nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan për familjet në nevojë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni e Veriut, arritën në adresën e duhur.
Haxhi Dauti, kryetar i kësaj shoqate thotë se e ndjen obligimin që të ndihmojë bashkëkombasit e tij, sidomos në këtë krizë të shkaktuar nga COVID-19.
"Ne i dërgojmë fondet prej këtu dhe vullnetarët blejnë të gjitha ushqimet atje dhe i paketojnë. Në këtë formë u ndihmojmë edhe bizneseve të vogla duke blerë me fondet tona poashtu edhe familjet me nevojë", tha ai në intervistë për Zërin e Amerikës.
Mjetet e grumbulluara janë kryesisht nga buxheti i shoqatës por ka edhe shumë shqiptaro-amerikanë që po kontribuojnë thotë zoti Dauti. Ushqimet që shpërndahen janë thelbësore thotë ai dhe një pako kushton rreth 15 euro. Në fillim planet ishin të ndihmoheshin nga 100 familje për shtet, por ky numër është shumëfishuar thotë ai.
"As që e paramendoja që të jetë situata kaq e rëndë, një varfëri e madhe e kaploi kombin tonë popullin tonë. Është për të të ardhur keq sepse ne u munduam të ndihmojmë rreth 100-200 familje për shkak të pandemisë mirëpo tani kemi shumë kërkesa, na shkruajnë në adresën e këshillit shqiptaro amerikan që duan ndihma dhe na tregojnë fshatrat qytetetet. Ne nuk e kemi mundësinë aq të madhe sepse nuk kemi fonde aq të mëdhaja por po mundohemi tani", tha për Zërin e Amerikës Haxhi Dauti, kryetar i Aleancës Shqiptaro-Amerikane.
Haxhi Dauti nuk preferon që të ekspozojë në pamje dhe fotografi familjet në nevojë ndërsa kritikon ata që veprojnë ashtu.
"Neve jemi shoqatë dhe nuk jemi politikanë. Politikanët e bëjnë atë gjë për punën e tyre, për të rritur vlerësimet për ta. Por sido që të jetë, ajo është mënyrë konfidenciale. Qëllimi ynë pse u bëjmë fotografi është që të kemi prova shtetërore sepse në Amerikë duhet të tregojmë se ku shkojnë fondet por individët edhe familjet janë vetëm në arkivën tonë dhe ato nuk mund të publikohen në asnjë arkivë tjetër për shembull në medie dhe gazeta sepse është mëkat. Është një varfëri jo në anën e familjeve që janë në nevojë por atyre që mendojnë se po u ndihmojnë por në të njëjtën kohë bëjnë një shkelje të të drejtave të njeriut", tha zoti Dauti.
Kreu i Këshillit Shqiptaro-Amerikan porositë të gjithë politikanët shqiptarë që të zgjedhin rrugën e bashkëpunimit dhe të nxjerrin popullin nga kriza.
"Perendia na ka dhënë këto vende më të bukurat si Shqipëria me atë turizmin, me detin me bukuritë, me miniera nëntokësore. Nuk ka nevojë që familjet të jetojnë në varfëri. Kemi Kosovën është e njëjta. Prandaj në qoftëse politikanët ulen dhe bisedojnë edhe mendojnë për popujt e tyre, banorët e tyre, besoj dhe shpresoj që në të ardhmen të mos ketë më njerëz në nevojë. E të gjithë të jetojnë, jo të jenë milionerë nuk ka nevojë të jenë milionerë por të kenë jetë standarde sikur në Amerikë".
Zoti Dauti thotë se pritet ulje e ndihmave dhe remitancave për shkak se koronavirusi shkaktoi krizë edhe tek diaspora.