Goditet grupi që organizonte trafik klandestinësh drejt SHBA-ve

Në Shqipëri, policia njoftoi goditjen e një grupi të madh i cili dyshohet të jetë përfshirë në trafikun e qenieve njerëzore, përmes përdorimit të dokumentave të falsifikuar për udhëtimin e tyre drejt Shteteve të Bashkuara, Kandasë dhe Mbretërië së Bashkuar. Të paktën 15 persona përfunduan në pranga, 7 të tjerë në arrest shtëpie dhe dy me detyrim paraqitje, gjatë një operacioni të shtrirë në të gjithë vendin, për të cilin u angazhuan 300 forca policore. Arrestimet u kryen pas një hetimi të gjatë në bashkëpunim me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë (DSS) në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Një Task Forcë hetimore e përbashkët shqiptaro-amerikane, e quajtur "JOINT SHIELD", u krijua posaçërisht për këtë hetim.

“Hetimet në lidhje me këtë grup kriminal filluan pas evidentimit të një rasti të shitjes së një pasaporte të falsifikuar amerikane në Tiranë dhe më pas u zgjeruan ndaj një grupi kriminal ndërkombëtar, dedikuar kalimit të paligjshëm të kufijve shtetëror, të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme si karta identiteti, pasaporta, leje drejtimi, apo karta shëndetësore”, shpjegoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare Ardi Veliu në një konferencë shtypi së bashku me Antonio Zamudion, Agjent Special, përgjegjës për hetimet kriminale në Shërbimin Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën Amerikane Tiranë.

“Ky grup kriminal – tregoi më tej zoti Veliu - pasi siguronte dokumente të dyshuara të falsifikuara në Shqipëri, por edhe në vende të ndryshme si në Kosovë, rekrutonte persona të interesuar, me qëllim udhëtimin e tyre për në SHBA, Kanada apo Mbretërinë e Bashkuar, dhe gjithashtu u siguronte atyre akomodimin në vende të ndryshme të BE-së, përfshirë dhe biletat e udhëtimit”.

Dokumentet e dyshuara si të falsifikuara dërgoheshin me autobusë të agjencive turistike, kryesisht në Itali dhe në Gjermani dhe nga aeroportet e këtyre vendeve shtetas të ndryshëm tentonin t’i përdornin dokumentet e falsifikuara, me qëllim destinacionin e tyre final SHBA, Kanada, Mbretëri e Bashkuar apo dhe vende të tjera.

“Nga hetimet e kryera ndaj këtij grupi kriminal, gjatë një viti, janë arritur të dokumentohen disa raste të personave të kapur dhe të arrestuar në vendet si Itali, Gjermani, Spanjë, Mbretëri e Bashkuar”, tha Drejtori i Policisë duke shtuar se “këtij grupi kriminal i është dokumentuar veprimtaria kriminale në lidhje me kapjet dhe arrestimet e personave që kanë tentuar të udhëtojnë nga Shqipëria për në Kanada dhe Mbretëri të Bashkuar”.

Ky grup mësohet të ketë shitur dokumente mbështetëse false për shtetasit shqiptarë që donin të merrnin viza për në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA.