Një tjetër provë shpresë-dhënëse ka filluar për një vaksinë kundër koronavirusit. Një bashkëpunim mes dy kompanish -- njëra amerikane dhe tjetra gjermane filloi javën a kaluar në Shtetet e Bashkuara. Disa pjesëmarrës janë studentë të mjekësisë. Në mbarë botën disa prova janë në proces e sipër për të gjetur një vaksinë kundër COVID-19. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti ka përgatitur materialin:
Your browser doesn’t support HTML5
Michael Sikorski po merr pjesë në prova historike. Ai është studenti i 17-të i mjekësisë që injektohet me vaksinën kandidate për parandalimin e COVID-19.
“Ndjej një sens përgjegjësie, detyrimi: jam i ri, i shëndetshëm dhe mund të marr pjesë në këto prova për vaksinë,” thotë ai.
Sikorski dhe 360 të tjerë po marrin pjesë në fazën e parë të provave për vaksinë që po zhvillon kompania Pfizer dhe partneri i saj gjerman, BioNTech.
Kompania po teston paralelisht katër vaksina, me një metodë të njohur si mRNA. Vaksina fut në trup një sekuencë të vogël gjenetike të virusit, të cilën organizmi e trajton si proteinë të huaj dhe krijon ndaj saj imunitet.
“Tani trupi është gati, ka krijuar memorje gjenetike. Kur organizmi has në virusin e vërtetë që mund ta infektojë, përgjigjet me shpejtësi dhe e pengon,” thotë hulumtuesi Mikael Dolsten.
Sfida kryesore për Pfizer është të zgjasë jetën e antitrupave në qelizë.
Shumë kompani farmaceutike po përpiqen të fitojnë garën për të zhvilluar vaksinën kundër koronavirusit.
Firma amerikane, Moderna, si dhe Institutet Kombëtare të Shëndetit, po përdorin metodën mRNA në prova që filluan muajin e kaluar. Inovio ka filluar provat që mbështeten tek metoda me ADN.
BioNTech/Pfizer filluan provat më 5 maj, ndërsa kompania kineze CanSino Biologics është para të tjerave, pasi ka kaluar në fazën e dytë të provave. Universiteti i Oksfordit në Angli filloi prova muajin e kaluar. Hulumtuesit në Wuhan dhe Pekin po përdorin metodën tradicionale të provave, duke injektuar vullnetarët me viruse joaktive.
Eksperti kryesor amerikan për sëmundjet ngjitëse parashikon se bota do të ketë një vaksinë efektive brenda muajit tetor:
“Më pas vjen sfida për ta prodhuar në masë që të arrijmë ta dërgojmë kudo që nevojitet,” thotë Dr. Anthony Fauci.
Ndërkaq, pjesëmarrës si Sikorski janë tani nën mbikqyrje për të garantuar se vaksina nuk ka pasoja anësore:
“Në ora 9, çdo natë, bie zilja e celularit dhe më kujton që të mbush ditarin e përditshëm mbi gjendjen shëndetësore. Mas temperaturën me termometrin që më kanë dhënë. U përgjigjem pyetjeve të formularit, për shembull nëse kam dhimbje muskujsh, temperaturë, enjtje kyçesh,” thotë student Michael Sikorski.
Nëse çdo gjë shkon mirë, pritet që vaksina të jetë në qarkullim në fund të vitit, një arritje e pashoqe për nga shpejtësia e reagimit për të imunizuar popullatën kundër një sëmundjeje.