Tiranë: Masa të pakta mbrojtëse nga qytetarët për epideminë COVID-19

Në Shqipëri, po shtohen prej dy ditësh raste e të prekurve me Covid-19. Pas një jave me shifra të ulta, rastet e të prekurve nga Covid-19 janë rritur sërish dhe janë shtuar vatra të reja infeksioni.

Zyrtarët e shëndetësisë njoftuan 12 raste të reja me Covid-19, pjesa më e madhe e tyre janë kontakte të rasteve të mëparshme.

Your browser doesn’t support HTML5

Tiranë: masa të pakta mbrojtëse ndaj epidemisë në rihapjen e veprimtarive


Rastet e reja janë zbuluar në zonat e njohura si më shumë të prekura, pra, në Tiranë, Shkodër, Krujë, Fier dhe vatrën më të re të Covid-19 në Kamëz.

Numri i pacientëve të shëruar shkoi pothuaj tre herë më i lartë se ai i të sëmurëve aktualë.

Tashmë janë të shëruar 595 persona dhe vazhdojnë të jenë aktivë 206 persona me Covid-19.

Në dy spitalet Covid janë të shtruar 36 pacientë, 8 prej të cilëve janë në terapi intensive.

Ministria e Shëndetësisë u kërkoi qytetarëve të vazhdojnë zbatimin e masave të rekomanduara nga autoritetet, sidomos distancimi fizik, si një nga mjetet më efikase të parandalimit të infeksionit.

Ndërsa bizneset e hapura duhet të ndjekin me saktësi protokollet e sigurisë, për të mbrojtur shëndetin e publikut dhe për të parandaluar shtimin e infeksionit.

Pas dy muaj izolimi me orare të zgjatura, autoritetet pa pakësojnë masat shtrënguese të epidemisë, dhe po zgjatin oraret e qarkullimit për kalimtarët dhe bizneset. por një pjesë e madhe e qytetarëve nuk i zbatojnë masat e distancimit social.

Instituti i Shëndetit Publik thotë se epidemia nuk ka kaluar dhe virusi është ende i pranishëm.

Mjekët thonë se pavarësisht numrit të të shëruarve dhe numrit të ulët të shtrimeve, rreziku është ende i lartë dhe masat mbrojtëse janë mëse të nevojshme.

Fëmijët dhe sistemi shkollor u cënuan më shumë nga epidemia, sepse mësimi vazhdoi online përmes internetit, ndërsa kur shkollat do të hapen, klasat mund të jenë me 12 nxënës dhe mund të kthehet mësimi me turne.

Një numër i konsiderueshëm qytetarësh i nënvlerësojnë masat e distancimit social dhe shihen shpesh pa maska e doreza dhe pranë një tjetrit.

Megjithatë, shumë nga qytetarët pohojnë që më shumë se virusi po i godet papunësia dhe varfëria.

Ata thonë se shtimi i masave mbrojtëse po i kufizon në veprimtaritë e domosdoshme për të siguruar jetesën.