Bota e sportit profesionist po vuan pasojat e pandemisë së koronavirusit. Kampionatet ndërkombëtare janë anuluar, duke sjellë humbje masivefinanciare për pronarët e ekipeve dhe organizatorët. Por edhe sportistët vetë po vuajnë sepse nuk stërviten dot ashtu siç duhet. Maxim Moskalkov sjell hollësitë.
Your browser doesn’t support HTML5
Pandemia e koronavirusit dhe masat e rrepta të karantinës e marra nga dhjetra vende kanë sjellë anullimin ose shtyrjen e mijëra ngjarjeve sportive në gjithë botën, përfshirë shtyrjen për një vit të Lojrave Verore Olimpike të Tokios të vitit 2020.
Shumë organizata sportive kanë pësuar humbje të thella financiare. Liga e sportit ragbi në Shtetet e Bashkuara deklaroi falimentimin, në pamundësi për të përballuar humbjet e shkaktuara nga COVID-19.
“Të kesh atletë që janë të bllokuar në shtëpitë e tyre, nuk stërviten dot, nuk përdorin objektet publike…”, thotë Sebastian Coe, president i “World Athletics”.
Për tenisten Alla Kudryavtseva, 2020-a do të ishte një vit i rëndësishëm. Ajo po planifikonte t’i kthehej sportit, pas lejes së lindjes.
Megjithatë në mars pasi u anulluan një sërë kampionatesh tenisi, përfshirë Uimbeldonin, ajo e kuptoi se gjërat janë shumë ndryshe tani. Në vend që të jetë duke bërë turne në botë, ajo është në Boston me të shoqin dhe vajzën e vogël.
“Isha stërvitur aq shumë që kthehesha në formë, të humbja peshë. Po përpiqem të bind veten se tani kam mundësinë të përgatitem për kampionate që do të rifillojnë në një moment të caktuar. Përpiqem të ruaj pozitivitetin. Është shumë e vështirë t’i rikthehesh sportit pas një shkëputjeje të gjatë”, thotë ajo.
Volejbollistit Josiah Byers, iu desh të kthehej në Kaliforni pasi një kampionat në Greqi u anulua. Tani ai pothuajse nuk ka asnjë shans të stërvitet siç duhet.
“Palestra në kompleksin ku banoj është e mbyllur. Nuk kemi qasje në ambjente stërvitjeje, që mund t’i kishim në kushte të tjera, kështuqë bëjmë stërvitje në ambjentet e shtëpisë. Njerëzve që u kanë kushtuar aq shumë kohë sportit, tani papritur u duhet të ndalojnë. Për disa, do të kishte qenë viti i fundit dhe tani nuk mund të ketë një përmbyllje…”, thotë Byers.
Megjithatë shumë sportistë besojnë se pandemia nuk është arsye për të rënë në depresion.
Futbollistë, tenistë dhe atletë të famshëm lidhen me tifozët e tyre online, ndajnë regjimentin e tyre të stërvitjes dhe bëjnë punë bamirësie.
“Ne jemi sportistë dhe kemi detyrime ndaj jush sepse ju na mbështesni. Dhe tani nuk mund t’ju braktisim. Po ndërmarrim një nismë që do të bashkojë të gjithë sportistët profesionistë për të ndihmuar Kryqin e Kuq. Objektivi ynë është të mbledhim 11 milionë Euro për të ndihmuar ata që kanë vuajtur nga kriza”, tha Rafael Nadal, lojtar tenisi.
Dhe nëse ka një gjë që sportistët profesionistë e dine mirë, është parimi sipas së cilit nuk ka pengesa, vetëm sfida. Dhe se bota do t’I kapërcejë ato.