Në Shqipëri besimtarët ortodoksë festuan Pashkën pa mundur dot të shkojnë pranë kishave dhe katedraleve, për shkak të masave ndaj koronavirusit.
Your browser doesn’t support HTML5
Besimtarët ortodoksë festuan sot Pashkët Ortodokse si kurrë më parë më kisha e katedrale të boshatisura, ndërsa drejtuesit kishtarë u kërkuan të qëndrojnë në shtëpi dhe të ndihmojnë njëri tjetrin.
Kryetari i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryepeshkopi Anastas Janullatos, uroi besimtarët për Pashkët në ceremonitë përmes televizionit. “Mos kini frikë. Këtë vit nuk do të kalojmë dritën e shpresës nga llamba në llambë, por nga zemra në zemër” - tha ai.
Duke drejtuar ritualin e përvitshëm, Kryepeshkopi Anastas Janullatos u tha besimtarëve përmes internetit dhe televizionit, se befasisë dhe shqetësimit që shkaktoi pandemia e dhimbshme COVID-19 do t’i kundërvëmë të mospasurit e frikës që na mësoi Krishti, plot me paqe e me solidaritet.
“Kur dyert ishin të mbyllura Jezui iu shfaq nxënësve, iu hoqi frikën dhe iu dha paqen. Frika është një këshilluese e keqe e njeriut. Ajo depërton në mënyra të ndryshme në vullnetin tonë, duke na ulur rezistencën dhe kreativitetin. Frikën e shkaktojnë luftërat dhe katastrofat natyrore, edhe pandemia COVID-19, që ka tronditur gjithë botën. Mos kini frikë, paqja qoftë mbi ju” - tha ai në mesazhin e Pashkës.
Ashtu si fundjavën e kaluar me pashkët katolike, edhe këtë të dielë kishat dhe katedralet i mbajtën larg besimtarët e tyre, për të shmangur përhapjen e sëmundjes së koronavirusit. Kjo është fundjava e pestë që Shqipëria kalon me mbyllje të gjata në banesa.