Në Shqipëri, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 19 raste të reja me koronavirus, ndërsa janë rishfaqur të prekur në Krujë, ku janë rregjistruar gjysma e të infektuarve të rinj. Në total në të gjithë vendin që nga fillimi i marsit kur u verifikua rasti i parë janë 562 persona pozitivë ndaj COVIS 19-ës.
Në raport me testimet e kryera, mbi 5500, vetëm 10 përqind rezultojnë të infektuar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë “kjo shifër tregon për një kontroll të mirë të epidemisë dhe për një numër krejtësisht të mjaftueshëm testimesh për të vlerësuar situatën”, deklaroi Marjeta Dervishi e Institutit të Shëndetit Publik. Sipas të dhënave të sotme, testimeve i janë nënshtruar në 24 orët e fundit dhe 35 pjestarë të personelit shëndetësorë, nga të cilët, vetëm një infermiere në Shkodër ka rezultuar pozitive.
Janë 20 qytete në të gjithë vendin, ku deri më tani janë verifikuar të prekur nga koronavirusi. Gati 45 përqind i përkasinë Tiranës, ndërsa 17 përqind, ose 96 raste Shkodrës. Ndërsa Durrësi me 42 raste dhe Fieri me 36 janë dy qytetet e tjera me numrin më të lartë. Në zonat e tjera rastet mbeten të kufizuara.
Prej shumë ditësh vijon të mbetet i qëndrueshëm dhe në nivelet më të ulta që prej më shumë se tre javësh të shtruarit në spitale. Në të dyja strukturat ku trajtohen të infektuarit deri sot në mesditë ishin 42 pacientë, nga të cilët 10 në terapi intensive. “Në shërbimin infektiv aktualisht janë 34 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 prej tyre janë në pavion, bëri të ditur zonja Dervishi.
Numri i të shëruarve ka shkuar në 314, duke qëndruar prej ditësh, ndjeshëm më i lartë se rastet aktive, 222 deri mesditën e së dielës.
Në Shqipëri, që prej pasdites të së premtes, në të gjithë vendin është ndaluar lëvizja. Përjashtim pati paraditen e djeshme për pensionistët dhe sot për nënat me fëmijë, që për herë të parë u lejuan të dalin, duke respektuar distancat.