Ndikimi i krizës së COVID-19, tek pjesëmarrësit në programin Fulbright 

Programi prestigjioz Fulbright që mbështet financiarisht të sapodiplomuarit dhe disa profesorë të japin mësim anglisht apo të bëjnë kërkime jashtë vendit për 1 deri në 9 muaj, u pezullua papritur për shkak të epidemisë së koronavirusit. Shumë prej studiuesve të programit, iu desh të vendosnin nëse do të ktheheshin në Shtetet e Bashkuara apo të rrinin në vendin ku ishin, por pa mbështetjen e programit.

Disa pjesëmarrës të programit Fulbright, një program prestigjioz i koordinuar nga Departamenti i Shtetit, kishin kryer vetëm disa javë, para se t’u thuhej se po ndërpritej për shkak të pandemisë së COVID-it.

“Unë kam katër vëllezër. Mamaja mori një shtëpi më të vogël, sepse ne jemi të gjithë të rritur. Dhe m’u desh të kthehesha dhe të jetoj në apartamentin e saj të vogël të pensionit. Nuk ka vend”, thotë Jennifer Lundt, pjesëmarrëse e programit Fulbright.

Por disa të tjerë, për shkak të rrethanave të vështira personale, mundën të rrinin jashtë vendit.

“Nuk kam marrëdhënie të mira me familjen. Nuk është një ambjent shumë i shëndetshëm. Kështu që mes një bisede të përlotur telefonike me dikë në ambasadë dhe njerëzve këtu, vendosa që për gjendjen time psikologjike, ishte më mirë të rrija këtu”, tha ajo.

Por Departamenti i Shtetit e anuloi programin në mars, afro 8 muaj më herët për shumë nga pjesëmarrësit.

Ata hasën vështirësi të gjenin fluturime për t’u kthyer. Disa do të kishin dashur të ktheheshin në herët.

“Jam e zhgënjyer me Departamentin e Shtetit, sepse mendoj se pritën shumë gjatë.Sidomos për ne të programit Fulbright, që duhet të kalonim nga Evropa. Ishte shumë vonë, Gjendja ishte jashtë kontrollit në Itali, dhe unë nuk ndjehesha aspak mire”, thotë Tamera Minnick, Profesore në Universitetin Kolorado Mesa.

Në një email për Zërin e Amerikës, Zëdhënësi i Zyrës për Çështjet e Arsimit dhe Kulturës, tha se që nga 28 shkurti, u kishte bërë thirrje dhe kishte ofruar ndihmë pjesëmarrësve të programit, që të niseshin për në Shtetet e Bashkuara.

Por shumë nga studiuesit e Fulbright thanë se nuk kishin marrë mesazhe që të shihnin mundësinë të iknin deru në fillim të marsit, Ata thonë se javët në vazhdim ishin plot panik.

“Më 11 mars, morëm mesazh ose email ku thuhej ‘rekomandojmë të mos udhëtoni për pushimet e pranverës…pas dy ditësh marrim një mesazh tjetër, që thoshte ‘sugjerojmë me forcë që të dilni nga vendi’. Pra toni ndryshoi me shpejtësi të madhe”, thotë Jennifer Lundt.

Pjesëmarrësit tani konsiderohen ish-pjesëmarrës dhe do të marrin titullin Fulbright, si edhe rrogë deri në qershor. Por përveç gjendjes së strehimit dhe të ardhurave shtesë, ata janë më të zhgënjyer që nuk mundën të mbaronin projektet.

“Është shumë më e rëndësishme për mua që të kem përvojën dhe të bëj studimet dhe lidhjet me njerëzit këtu, sesa të shkruaj në rezyme që mora pjesë në Fulbright”, thotë Sonia Urquidi.

Por të tjerë pjesëmarrës thonë se nuk fajësojnë organizatorët dhe Departamentin e Shtetit.

“Është një pandemi, gjithçka ndryshoi. Kështuqë është e kuptueshme, Një vendim duhej të merrej”, thotë Prof. Minnick.

Qoftë nëse po kërkojnë punë në Shtetet e Bashkuara ose vendet e tjera, pjesëmarrësve në Fulbright u është dashur të ndryshojnë planet e tyre të karrierës për pjesën e mbetur të vitit.