Covid-19 dhe çmimet e ulëta të naftës me pasoja të rënda për Lindjen e Mesme 

Pandemia e koronavirusit po e fut Lindjen e Mesme në një krizë të shumëfishtë, nga të cilat ekonomitë e rajonit duhet të mbrohen, thonë analistët. Rënia e çmimit të naftës ka përkeqësuar gjendjen ekonomike në rajonin tashmë të përfshirë nga trazirat dhe konfliktet.

Lindja e Mesme, tashmë e goditur nga niveli i lartë i papunësisë në mesin e të rinjve, trazirat, konfliktet dhe numri i madh i refugjatëve, do të zhytet në recesion këtë vit të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit dhe rënia e çmimit të naftës, tha Xhihad Azour, drejtor i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore.

Ai paralajmëroi se rajoni po përjeton vetëm valën e parë të tronditjes dhe duhet të përgatitet për pasojat afatgjata të krizës.

"Mesazhi këtë vit është se po përballemi me një nga krizat vërtet më sfiduese që rajoni ka përjetuar ndonjëherë. Një numër i caktuar masash janë të nevojshme, dhe kujdesi shëndetësor duhet të ketë përparësi tani. Ekonomitë duhet të mbrohen," tha Azour për agjecinë e lajmeve Associated Press.

Organizata e vendeve eksportuese të naftës, OPEC, Rusia dhe vende të tjera prodhuese të naftës, të dielën arritën një marrëveshje për pakësimin e prodhimit të naftës me 10 milionë fuçi, me shpresën për të ndalur rënien e mëtejshme të çmimit të naftës. Marrëveshje pakëson me 10 për qind e sasinë e përgjithshme të furnizimit global, dhe ka si synim t’i japë fund luftës mbi çmimin e naftës mes vendeve prodhuese në mes të pandemisë së koronavirusit.

Analisti Robin Mills thotë se marrëveshja nuk do të ndihmojë në zbutjen e problemit të rënies së kërkesave për naftë në aspektin afatshkurtër për shkak të kufizimeve globale mbi udhëtimet që akoma janë në fuqi.

“Ndikimi në aspektin afatgjatë është i rëndësishëm, kur ekonomia botërore do të fillojë të rimëkembet dhe vendet do t’i japin fund masave kufizuese. Atëherë njerëzit do të fillojnë përsëri të ngasin makinat dhe të udhëtojnë me avionë, duke rritur kërkesat për naftë. Niveli i kërkesave për naftë do të jetë më i ulët se vitin e kaluar, por rimëkëmbja ekonomike i jep mundësinë OPEC-ut që të ketë pak më shumë kontroll në rikthimin tek niveli më i lartë i kërkesave”, thotë ai.

Duke pasur parasysh nivelin global të krizës, analistët i bënë thirrje qeverive të vendeve të Lindjes së Mesme që të intensifikojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll krizën e pandemisë së koronavirusit sa më shpejt që të jetë e mundur. Sipas tyre kjo do t’i hapte rrugën shtimit të kërkesave për naftë dhe rimëkëmbjes ekonomike të rajonit.

Lindja e Mesme ka regjistruar më shumë se 170,000 raste me Covid-19, përfshirë më shumë se 6,500 viktima