Zyrtarët thonë se paketa stimuluese prej 2,2 trilionë dollarësh mund të mos arrijë të sigurojë ndihmë financiare të nevojshme për mijëra qytete dhe qarqe të vogla ku jetojnë një pjesë e konsiderueshme e amerikanëve.
Përhapja e koronavirusit ka krijuar vrima në buxhetet e komuniteteve. Kostot e luftës ndaj pandemisë janë rritur ndjeshëm ndërsa burime kritike të ardhurash për organet e qeverisjes vendore kanë rënë.
Fondi i ndihmës për koronavirusin përdor një formulë të bazuar tek numri i popullsisë për të shpërndarë me dhjetëra miliarda dollarë për shtete të ndryshme, duke u dhënë mundësi qeverive lokale me më shumë se 500,000 banorë të aplikojnë për fonde drejtpërdrejt tek Departamenti i Thesarit.
Por lokalitetet me një popullsi nën pragun e gjysmë milionit ndodhen në një situatë të paqartë. Mes lokaliteteve të prekur është edhe qyteti i New Rochelle në New York, një nga më të goditurit nga shpërthimi i pandemisë. Kryetari i Bashkisë së qytezës me 80,000 mijë banorë Naom Bramson tha se nuk mund ta kuptojë logjikën e përdorur nga qeveria federale.
"Qytetet me më pak se 500 mijë banorë janë prekur po aq sa ato me më shumë se aq" tha ai, duke e cilësuar masën si arbitrare.